Enver Hoxhaj në konferencë për media, Foto: KALLXO.com, 23.05.2019

Hoxhaj: PDK në zgjedhje hyn vet, posti i kryeministrit i panegociueshëm

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka shpalosur disa nga kriteret e partisë së tij për koalicionet e mundshme para dhe pas zgjedhore, ndonëse data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk është shpallur ende.

Hoxhaj në Facebook ka shkruar se, PDK është forca që gëzon besimin më të madh tek qytetarët dhe sipas tij, këtë do ta dëshmojnë edhe në këto zgjedhje.

Ai nuk ka lënë pa thumbuar edhe kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

“Ne e kemi provuar tashmë çfarë ka ndodhur kur postin e Kryeministrit ua kemi lënë partnerëve të koalicionit. Prandaj nuk do të bëjmë kompromise të asnjë lloji kur kërkojmë votëbesimin e qytetarit”, ka shkruar ai.

Hoxhaj ka shtuar se në këto zgjedhje PDK-ja do të hyjë vetë dhe siç thotë ai, posti i kryeministrit është i panegociueshëm.

“Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, ato parti që nuk do kenë kurajën që të bëhen pjesë e pikave tona programore, nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme që ne do ta udhëheqim. Qytetari në zgjedhje tregon se kush ka vullnet dhe forcë t’ju prijë proceseve!”, thuhet në publikimin e Hoxhajt në Facebook.

Ndërkaq, ditë më parë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar se nuk do të ketë më “kryeministër me qira”.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit me 19 korrik 2019 pas ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.