Enver Hoxhaj

Hoxhaj: Mosnjohja e Kosovës nga anëtarët e BE-së po kontribuon në jostabilitetin rajonal

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar vendet anëtare të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Sipas Hoxhajt, shtetet anëtare të BE-së që po vazhdojnë ‘padrejtësisht’ shtyrjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës po kontribuojnë në jostabilitetin rajonal.

“Ato (shtete) nuk duhet të brengosen me çështjet e brendshme dhe vendimet e Kosovës. Mosnjohja është problem e jo ushtrimi nga Kosova i sovranitetit të saj”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hoxhaj në profilin e tij në “Tweeter”.

Enver Hoxhaj nuk ka përmendur ndonjë autoritet se kujt ia drejton këtë kritikë, por reagimi i tij vjen pas kërkesave të vazhdueshme nga zyrtarë të Bashkimit Europian për heqjen nga Kosova të taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Deri më tani Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtete anëtare të BE-së: Rumania, Sllovakia, Spanja, Qipro dhe Greqia.