Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj gjatë takimit në Strasburg- Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoxhaj: Kosova pa Viza, Dialogu me Serbinë i Pakuptimtë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës së tij në Strasburg të Francës ka deklaruar para eurodeputetëve se dialogu me Serbinë varet nga liberalizimi i vizave për Kosovën.

Me anë të një njoftimi të zyrës së kryeministrisë, Hoxhaj gjatë ditës së sotme është takuar me mbështetësen e madhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, eurodeputeten Tanja Fajon, si dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan.

Sipas Hoxhajt, nëse Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave, dialogu me Serbinë do të jetë i pakuptimtë.

“Nëse Serbia është shpërblyer shumëfish për shkak të dialogut me Kosovën, edhe Kosova duhet të shpërblehet në mënyrë të balancuar në këtë drejtim. Prandaj, nëse Kosova nuk merr liberalizimin pasi që t’i kryej detyrat e saj brenda vitit 2018, këtij dialogu do t’i humbasë kuptimi, dhe atë jo vetëm në planin politik, por edhe atë të mbështetjes së qytetarëve”, ka thënë Hoxhaj.

Në takimin me kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme, David McAllister, Hoxhaj ka kërkuar mbështetje që qytetarëve të Kosovës tu jepet liberalizimi i vizave brenda vitit 2018.

“Kam takuar mbështetësin e madh të Kosovës në Parlamentin Evropian, kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, eurodeputeten Tania Fajon si dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan. U kam kërkuar mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që një gjë e tillë nënkupton integrimin individual të çdo qytetari të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe është e drejtë fundamentale e qytetarëve të lëvizin lirshëm në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.