Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj pas takimit me shefen e diplomacisë të BE-së, Federica Mogherini – Foto: MPJ

Hoxhaj Kërkon më Shumë Presion Ndaj Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur një vizitë dyditore në Bruksel dhe Strasburg, ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të institucioneve të BE-së dhe Këshillit të Evropës.

Takimin e parë ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme, Hoxhaj ka thënë të ketë marrë mbështetje të fuqishme politike të BE-së për Kosovën, institucionet e saj dhe zhvillimin e dialogut me Serbinë. Por, sipas tij, BE-ja duhet të bëjë presion ndaj Serbisë që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura dhe të kushtëzojë progresin e mundshëm të saj në rrugën evropiane me njohjen e Kosovës.

“Zhvillova një takim shumë të mirë dhe përmbajtjesor me shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e  marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj evropiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës”, citohet t’i ketë thënë ministri Hoxhaj shefes së diplomacisë evropiane.

“Pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progres dhe normalizim të mirëfilltë”, ka thënë po ashtu Hoxhaj sipas komunikatës.

Po ashtu, temë diskutimi ka qenë edhe çështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi, për çka është shprehur gatishmëria dhe vullneti i plotë që ka Qeveria e Kosovës për ta shtyrë sa më parë këtë.

Hoxhaj pritet të takohet edhe me komisionerin Johannes Hahn, komisionerin për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, zëvendësekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe shumë eurodeputetë.