Diskutimi i organizuar nga KDI me Enver Hoxhaj dhe Çedomir Jovanoviq, Foto: Kallxo.com

Hoxhaj: Kemi frikë se Asociacioni do të krijojë ndarje të brendshme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se në Kosovë ekziston frika se me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe do të ketë ndarje të brendshme në mes entitetit serb dhe atij shqiptar.

“Ne kemi frikë që krijimi i Asociacionit do të krijonte ndarje të brendshme. Ne nuk dëshirojmë që Asociacioni të jetë një dorë e zgjatur e Serbisë. Njohja e ndërsjellë është gurthemel i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi Hoxhaj në një diskutim të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temën “Cila është e Ardhmja e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe kryetari i Partisë Liberale të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, i cili tha se e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2004, katër vjet para se ajo të shpallej.

Enver Hoxhaj gjithashtu theksoi se njëra nga rrethanat që duhet të kemi parasysh në dialogun me Serbinë është edhe konteksti global.

“Partnerët perëndimorë të rajonit kanë interes që të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë me Greqinë dhe çështja e dialogut me Serbinë, por Rusia nuk e ka këtë interes”, tha Hoxhaj.

zëvendëskryeministri Hoxhaj potencoi se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) nuk është në dorën e Serbisë.

“Por të mendohet që Serbia të jetë garancë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, kjo nuk është kartë që është në dorën e Vuçiqit, kjo letër është në dorën e të tjerëve, ne e kemi në dorë kartën e njohjes së ndërsjellë”, tha Hoxhaj gjatë diskutimit të organizuar nga KDI.

Më tej Hoxhaj tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe se Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën.