Hoxhaj i uron mirëseardhje ambasadorit Kosnett

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj,  ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.

Me këtë rast Zëvendëskryeministri Hoxhaj i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Kosnett, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen, si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe shtet-ndërtimin e saj.

Hoxhaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes dy vendeve.

“Ambasadorit i shpreha mirënjohjen për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe mbështetjen e ShBA-së për Kosovën. Diskutuam për përmbylljen e shtet-ndërtimit të Kosovës, dialogun me Serbinë, transformimin e FSK-së, si dhe sfidat me të cilat përballet rajoni aktualisht. Shpreha përkushtimin për thellimin e mëtejmë të miqësisë marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hoxhaj në Facebook.