Ministri Hoxhaj në Samitin e Diasporës | Foto: MPJ

Hoxhaj Flet për Tjera Konsullata të Përbashkëta me Shqipërinë

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, derisa po qëndron në Samitin e Diasporës që po mbahet në Tiranë bëri të ditur se ministritë e jashtme të Kosovës e Shqipërisë do të hapin edhe konsullata tjera të përbashkëta.

“Misioneve tona të përbashkëta konsullore, do t’u shtohen së shpejti edhe dy të tjera në Danimarkë dhe në Turqi,” tha Hoxhaj sipas një komunikate të lëshuar nga MPJ-ja.

Më 19 tetor në Mynih në konsullatën e Kosovës filloi të veprojë edhe ajo e Shqipërisë, ndërsa më herët konsullata të përbashkëta janë krijuar në Milano e Bari të Italisë.

Në Samitin e Diasporës, Hoxhaj sipas komunikatës foli edhe për rolin e mërgimtarëve shqiptarë.

“Arritjet e shqiptarëve kanë qenë edhe mision i diasporës shqiptare, e cila ka qëndruar pranë bashkëkombasve të vet historikisht që nga formimi i shtetit shqiptar, përpjekjet për liri të shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi, përpjekje e cila kulminoi me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008,” tha Hoxhaj sipas komunikatës.

Ai para 1 mijë pjesëmarrësve nga diaspora të shtrirë në dyzet vende të botës tha se “me rrjedhën e zhvillimeve dhe me një diasporë të shpërndarë mirë gjeografikisht, mund të themi që ekziston faktori shqiptar në Ballkan dhe në botë”.

Për ta vërtetuar këtë Hoxhaj përmendi “emra të shumtë të rinj të diasporës shqiptare, që përmes talentit të treguar në art, muzikë, kulturë e sport janë bërë të njohur për gjithë botën”.

Samiti i ardhshëm i diasporës pritet të zhvillohet në Prishtinë.