Enver Hoxhaj dhe Abelard Tahiri në konferencë për media

Hoxhaj dhe Tahiri: Me ligj do të ndalojmë mohimin e krimeve të luftës në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një konference për media kanë shpalosur detajet e iniciativës ligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës, kundër mohimit të krimeve të forcave serbe të kryera në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë në Kosovë, është një krim i dyfishtë.

“Sot me ministrin Tahiri biseduam rreth modaliteteve dhe i takon Ministrisë së Drejtësisë që të hartojë këtë ligj. Qëllimi mbetet, se mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë në Kosovë, është një krim i dyfishtë. Është një ofendim ndaj familjeve, shtetit dhe ndaj shoqërisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Hoxhaj shtoi se në draftimin e këtij ligji do të marrin për bazë përvojat më të mira europiane, ku janë parandaluar raste të tilla të mohimit të krimeve.

“Kur i dëgjojmë çdo ditë deklaratat të politikanëve serb në Beograd dhe të disa kolegëve në Kosovë, e pyesin veten e a jemi në vitin 2019, 1999 ose në vitin 1989, kur një diskurs ka përgatitur ka udhëhequr një politikë të spastrimit etnik viktimat e së cilës kemi qenë ne në Kosovë, saktësisht viktimë kanë qenë civilët që nuk janë në mesin tonë”, tha tutje ai.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se hartimi i një baze të tillë ligjore është i domosdoshëm.

“Kjo nuk ka të bëjë me drejtim ndaj një komuniteti të caktuar. Si qeveri jemi të përkushtuar të kemi një shoqërie multietnike, pro në anën tjetër tash shënohet 20 vjetori i shumicës së masakrave që kanë ndodhë në Kosovë, dhe përgjatë këtyre viteve ne nuk kemi parë që drejtësia ka shkuar në vend ndaj krimeve që janë kryer”, tha ai.

Sipas Tahirit, në këtë 20 vjetor po shihet një tendencë të rëndë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq duke ‘instrumentalizuar’ përfaqësuesit e qytetarëve serbë në Kosovë, që të mohohen krimet serbe.

“Lufta vazhdon të jetë një plagë e rëndë për shoqërinë tonë. Ne angazhohemi që të zbardhim fatin e të pagjeturve., por në njërën anë nuk do të lejojmë askënd që të mohohen krimet të cilat janë kryer ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovë. 20 vite mbrapa mendësia e kësaj qeverie në Serbi, vazhdon të jetë e njëjtë. Janë të njëjtit njerëz të viteve 98-99, qasjen e kanë të njëjtë”, tha ai.

Reagimet e politikanëve në Kosovë, erdhën pasi zyrtarë serbë duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitet 1998/99, e kanë vënë në pikëpyetje vërtetësinë e masakrës së 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.

Ish-ministri serb i Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq e quajti masakrën e Reçakut “një trillim” dhe i njëjti pas kësaj deklarate u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka quajtur këtë ngjarje “shpikje e William Walker”.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës, këtë javë e ka formuar një komision për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb.

Mohimi i krimeve të luftës nuk i ‘relakson’ raportet Kosovë-Serbi

.