Imami Bedri Halili para xhematit të tij - Foto: REL

Hoxha që Lufton Vehabizmin në Vushtrri

Imami Bedri Halili nga Vushtrria për shumë kohë ka kundërshtuar rrymën vehabiste në xhaminë e tij.

Për këto veprime ai është sulmuar fizikisht në vitin 2014.

Imami Halili ka treguar për Radion Evropa e Lirë se këta persona i merrnin fëmijët nga rruga dhe iu mbanin ligjërata në xhami me orë të tëra, duke tentuar t’ua mësonin fëmijëve një islam tjetër, më radikal, nga ai që praktikohet në Kosovë.

Mirëpo, pas raportimit të rastit në polici, imami ka treguar se tash këta persona kanë ndryshuar dhe se më nuk ka pasur probleme.

“Vijnë falen, vehabistët vijnë falen, mirëpo është një butësi, një mirëkuptim, një bisedë. Prejse shteti ka ndërmarrë dy herë aksione, ata edhe selamin, edhe bisedën edhe ndejën e kanë më të mirë se që e kanë pasur”, thotë imami.

Hoxha i shkolluar në Siri, në vazhdimësi ka bërë thirrje për të mos shkuar në Siri e Irak për t’iu bashkuar grupeve ekstremiste.

“ISIS nuk ka të bëjë asgjë me botën arabe, as islame, as njerëzore. Është dora e armiqve të islamit dhe tokave arabe”, shtoi Bedri Halili.

Besimtari Enver Halimi thotë se hoxha vazhdimisht ka bërë thirrje që mos të shkohet në Siri dhe se ligjëratat e tij janë sa fetare aq edhe kombëtare. (Marrë nga REL)