Foto: KALLXO.com, 10/07/2019

Hoxha për liberalizimin: Kemi përkrahjen e Gjermanisë, heziton Franca

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se Kosova e ka mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave por kanë hasur hezitim nga Franca.

“Kemi pasur përkrahje nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, mirëpo nuk kemi pas edhe nga ministri i Brendshëm. Nga vendet hezituese dhe që nuk kanë qëndrim për vizat janë Franca, Holanda dhe Belgjika,  ndërsa vendet tjera janë përkrahëse si ato Baltike dhe shtetet anëtare e të Evropës Juglindore”, tha ajo gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme.

Hoxha shtoi se pas krijimit të organeve të reja të BE-së në tetor do të mbahet Këshilli i Europës.

“Pas konstituimit të organeve të reja të BË është takimi i ardhshëm i Këshillit të Evropës. Tek tetori pritet të mbahet ky takim. Deri atëherë duhet të ndodhin diskutimet në grupet punuese.  Përkundër rekomandime pozitive dhe përmbushjes së kritereve nga ana jonë jemi në pritje të vendimit të Këshillit”, tha ministrja.

Ajo shtoi se frika më e madhe e Francës është migrimi.

“Nuk mendoj se Gjermania do ta fus në agjendë në Këshill këtë çështje, pa pasur një konsesus me Francën, duke e ditur bashkëpunimin e tyre. Votimi do të ndodhë kur vendet si Franca dhe Gjermania do të kenë përkrahje të qartë për vizat. Frika është që mund të keqpërdoret liberalizimi i vizave për shkak të migrimit”, tha Hoxha.

Kryetarja e këtij komisioni nga LDK, Vjosa Osmani, tha se në takimet që ajo ka pasur në Francë i janë përmendur disa raste të luftimit të krimit dhe korrupsionit.

“Në takimet në Francë që kam pasur më kanë thënë se kanë dërguar kërkesa specifike në Ministrinë e Pune të Brendshme të Kosovës për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe se janë në pritje te përgjigjesh. A jeni në dijeni ju se cilat janë ato kërkesa”, pyeti Osmani ministren Hoxha.

Ndërsa Ministrja Hoxha tha në takimet e saj zyrtare në Francë asnjëherë nuk i është përmendur që nuk janë plotësuar kriteret për vizat.

Anëtarja e Komisionit nga radhët e LDK-së, Doruntinë Maloku tha se kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë që Franca përkrahë liberalizimin për Kosovën, që kërkoi të dijë nga Hoxha cila është e vërteta.

“Nuk ka këtu e vërteta e kryeministrit, e imja apo e Francës, të gjithë po e themi një të vërtetë. Deklarimet e mia janë se Franca është hezituese, prapë po e përsëris. Titujt kanë qenë tendencioz”, tha Hoxha.

Deputetja Maloku reagoi sërish duke thënë se s’është duke ju referuar mediave për këtë.

“Unë nuk ju kam referuar titujve të portaleve. Në bazë të këtyre që thatë po na dalin 3 të vërteta”, shtoi ajo.

Anëtari nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha e pyeti ministren se mos koordinimi i krerëve të institucioneve a do të ndikojë në liberalizim.

“A keni mendim se ka kontest brenda institucioneve të Kosovës që të ketë ndikim në ngecjet në vizat. E kam fjalën kur vetë krerët e institucioneve nuk kanë qëndrime të qarta dhe se a mund të ndikojnë që të zhagitet procesi i vizave?”, tha Berisha.

Ministrja Hoxha tha se kjo nuk do të ndikojë në këtë udhëtimin e lirë të qytetarëve.

“Nuk mendoj se kjo është një pengesë për çështjen e liberalizimit të vizave. Ka edhe vendet që kanë liberalizimin e vizave por i kanë punët shumë më keq se Republika e Kosovës. Ka ishuj që nuk janë as afër Evropës por e gëzojnë liberalizimin e vizave”, tha Hoxha.

Anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli përmendi rastin e ish-prokurorit Elez Blakaj.

“Rekomandimet janë thjesht rekomandime dhe nuk e detyrojnë askënd për mënyrën se si të votojnë shtetet anëtare. Çfarë keni bërë ju, cili është presioni juaj në qeveri për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Në vizitat tuaja a është përmendur kërcënimi i kryeministrit për prokurorin (Elez Blakaj), sepse kur vetë kryeministri kërcënon është direkt ndikim në drejtësi”, tha ajo.

Ministrja Hoxha tha se si është përmendur asnjëherë ky rast.

“Nuk më është përmendur ky rast në takimet që kam pasur. Ndoshta pasi takimet kanë qenë kryekëput me liberalizim të viza dhe kriteret”, tha Hoxha.