Foto: KALLXO.com. 31.05.2019

Hoxha: Mungon vullneti politik për avancimin e agjendës evropiane

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në komisionin për Integrime Evropiane ka paraqitur Raportin e Progresit për vitin 2019.

Hoxha në këtë takim përmendi disa nga të gjeturat e raportit, duke kërkuar mbështetje të të gjithëve pavarësisht bindjeve politike.

“Të gjithë duhet të kemi pronësi dhe të angazhohemi që raportet e tjera të dalin më mirë. Progres është cituar puna e Kuvendit në përcaktimin e marrëveshjeve si ajo e përcaktimit të kufirit me Malin e Zi. Progres substancial ka pasur në luftën kundër terrorizmit. Sa i përket Kuvendit është theksuar mos funksionimi i rregullt i Kuvendit si dhe mungesa e kuorumit. Neve na mungon konsensusi apo vullneti politik për avancimin e agjendës të integrimit evropian”, tha Hoxha.

Disa nga ngecjet, mos përmbushjet, dhe rekomandimet Hoxha ceku se janë, korrupsioni dhe krimi i organizuar, konfiskimi tepër i ultë i pasurisë së fituar në mënyrë joligjore, dënimet e ulëta, zvarritja e lëndëve, dhe kryesisht ndikimi politik në drejtësi.

“Paaftësia e gjyqësorit për t’i trajtuar me prioritet rastet e shënjestruara. Pastaj në fushën  e Reformën e Administratës Publike, është sfidë që Qeveria është shumë e madhe, numri i madh i zëvendësministrave, mosracionalizimi i agjencive të pavarura, emërtimet jo-meritore në pozita të larta në administratën publike, kapacitetet e kufizuara në administratë, mos funksionimin i rregullt i Kuvendit  duke rezultuar me vonesa në veprimtarinë legjislative”, tregoi Hoxha.

Derisa anëtarët e këtij komisioni nuk patën pyetje por vetëm komente për të gjeturat e Raportit të Progresit.

Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka tha se në raport është përmendur edhe liria e medias.

“Gazetarët nuk janë të ndjekur në Kosovë, por janë njerëz të cilët te asnjë zyrtar nuk mundesh me marrë një dokument për pa kaluar në 10 zyre. Nëse vazhdon kjo qeveri kështu edhe në vitin e ardhshëm kemi me pasë raport më të zi”, tha Zeka.

Ndërsa anëtari nga PSD, Visar Ymeri, tha se Qeveria nga të gjeturat e raportit po i marrin vetëm anët pozitivt.

“Mendoj që shpesh herë kemi një lexim të gabueshëm të raportit, është një farë tendence e ekzekutivit me i nxjerr prej raportit vetëm lëvdatat edhe me thanë se shpëtuam edhe këtë vit”, tha Ymeri.

Anëtari nga LDK, Ismet Beqiri, tha se ekzekutivit duhet t’ia kishte lakmi edhe Kina për numrin e ministrave dhe zv. ministrave.

“Kuvendi është shndërruar në një arenë politike dhe nuk po i kryejmë funksionet për çka jemi thirr. Ne e kemi një qeveri që është dashtë me na pasë lakmi edhe Kina për numrin e madh të ministrave e zv. ministrave”, tha Beqiri.

Ndërsa anëtarja e VV-së, Fatmire Kollqaku ngriti cështjen e mjedisit, e cila sipas saj ka nevojë për reforma.

Në fund ministrja Hoxha tha se raporti i Komisionit Europian duhet marrë si pasqyrë e situatës aktuale.

“Nuk duhet ta shikojmë këtë raport një raport nga i cili duhet të frikësohemi por një raport i cili na qet në rrugën e duhur. Duhet ta mbajmë parimin që askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, tha ajo.