Ministrja Dhurata Hoxha sot në Bruksel - Foto: Facebook

Hoxha: Mosliberalizimi i vizave vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, tha se në takimin e sotëm për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë është diskutuar për kriteret politike, kriteret ekonomike, implementimin e MSA-së si dhe bashkëpunimin financiar.

Ministrja Hoxha ka ngritur shqetësimin e palës kosovare se pavarësisht plotësimit të kritereve, vendet europiane nuk i hoqën vizat për qytetarët e Kosovës.

“Në fjalën time ceka faktin se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shpreha shqetësimin për mos marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, gjë e cila vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së dhe është zhgënjyese për qytetarët”, ka shkruar Hoxha në “Facebook”.

Tutje, ministrja ka bërë të ditur se në këtë takim ka vënë në dukje përshpejtimin në zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke u fokusuar në zbatimin e Agjendës Europiane të Reformave.