Hoxha: Kosova nuk ka humbur asnjë cent nga marrëveshjet me BE-në

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për vitin 2018 ka tejkaluar pritshmërinë.

Sipas saj, niveli i zbatimit të ERA-s (Agjendës për Reforma Evropiane) për vitin 2018 është 74.07%.

“Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për vitin 2018 ka tejkaluar planet. Sipas Marrëveshjes tonë me BE-në, për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, ka qenë e paraparë që zbatimi për vitin 2018 të jetë së paku 60%, ndërkohë që plani është tejkaluar në 68.23%”, planet janë që në vitin 2019 duhet të jetë 70%, ndërsa për vitin 2020 të jetë 80%”, u shpreh ajo.

Hoxha shtoi se Kosova nuk ka humbur asnjë cent në marrëveshjet që janë bërë në mes të Kosovës dhe BE-së.

“Qeveria ka nënshkruar dy marrëveshje me BE-në për mbështetje buxhetore, planet për zbatimin e MSA-së janë tejkaluar kemi zbatim më të madh me IPA 2016 pjesa 2 është nënshkruar kontrata për mbështetje 25 milionë euro, në IPA pjesa 2 Kosova përfiton 25 milionë euro tani me përmbushje të targetit tonë tani nuk është e vërtetë që Kosova humb miliona euro për zbatim të keq të MSA-së kemi zbatim të mirë madje tejkalim. Jemi brenda afateve kontraktuale dhe Kosova nuk ka humbur asnjë cent në këtë drejtim”, tha ajo.

Gjithashtu bëri të ditur se fondet e BE-së për Kosovën janë rritur.

“IPA 2017 IPA ka ndarë 73 milion euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milion euro, kurse IPA 2019 – 2020 afërsisht 200 milion euro”, theksoi Hoxha.

Ndërkaq, ministrja e MEI-së  është pyetur edhe për liberalizimin e vizave në këtë konferencë për të cilën tha se nuk ka synim vetëm liberalizimin dhe duke shtuar nuk ka datë se kur do të ndodhë.