Ministrja në Komision | Foto: KALLXO.com

Hoxha Kërkon Hetim të Tomë Gashit për Shpërdorim Detyre

Në një letër që ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ia dërgoi sot kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, kërkon që të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Tomë Gashit, avokatit të familjes Dehari dhe ekspertëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj.

“Kërkojmë autorizimin e fillimit të hetimeve për z.Tomë Gashi, avokat, z. Besim Ymaj ekspert i mjekësisë-ligjore dhe Besim Latifaj, patolog,” thuhet në letrën e Hoxhës për Lumezin.

Letrën e ministres dërguar kryeprokurorit, Tomë Gashi e komentoi fare shkurt për KALLXO.com, pasi tha se nuk e kam parë atë.

“Unë nuk e kam pa atë letër, po veç në shtetet diktatoriale ministrja mundet me kërku ni gja të tillë. Por, kur ta shoh të thërras dhe e komentojmë,” tha Tomë Gashi.

Ministrja Hoxha në letër sqaron arsyet pse kërkon këtë hetim.

“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të deklarimeve, por edhe publikimit të raporteve të cilat i referohen humbjes së jetës së Astrit Deharit…publikimi i raporteve të tilla nga personat jokompetentë dhe të tillë të cilët dalin përtej autorizimeve ligjore, sipas pikëpamjes tonë konsiderojmë se bijën ndesh me dispozitat e legjislacionit në fuqi që i referohen detyrës zyrtare,” sqarohet në letër.

Dhurata Hoxha kërkesën për hetime e lidh me transparencën rreth vdekjes së ish-aktivistit të “Vetëvendosejs” më 5 nëntor.

“Hetimet e tilla të bëhen para së gjithash për qëllim të qartësimit të opinionit publik dhe transparencës së plotë në lidhje me këtë rast si dhe verifikimit të pretendimeve se i ndjeri Dehari është vetëvrarë,” thuhet në letër.

Kërkesën për hetime nga prokuroria ndaj avokatit dhe ekspertëve ministrja Hoxha e bëri të ditur edhe në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për vdekjen e Deharit.

http://kallxo.com/hetim-deklaratave-te-tome-gashit-dhe-eksperteve-te-pavarur/

Tomë Gashi si avokat i familjes Dehari më 16 dhjetor publikoi raportin e dy ekspertëve të pavarur të ngarkuar për këtë qëllim nga familja e ish-aktivistit të “Vetëvendosjes”.

Sipas këtij raporti u konstatua se Dehari është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej nën dyshimet për sulmin e 4 gushtit me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit.

http://kallxo.com/tome-gashi-konteston-versionin-zyrtar-te-vdekjes-se-astrit-deharit/

Instituti i Mjekësisë Ligjore më 18 nëntor këtë vdekje e cilësoi vetëvrasje.

http://kallxo.com/mjekesia-ligjore-percakton-se-astrit-dehari-beri-vetevrasje/