Hoxha e Mustafa flasin për migrimin ilegal

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mbajtur takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafën, me të cilin ka diskutuar për procesin integrues dhe komponentët për këtë proces.

Pas takimit, Ministrja Hoxha ka treguar se me ministrin Mustafa kanë biseduar çështje që kanë të bëjnë me emigrimin ilegal si dhe çështje të tjera që prekin dy ministritë.

“Në takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafën, diskutuam për çështjen e emigrimit ilegal, riatdhesimin e qytetarëve tanë, sigurisë së dokumentacionit dhe kufirit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si komponentë të rëndësishëm gjatë vlerësimit të procesit integrues”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Sipas Hoxhës Kosova ka dëshmuar sukses në zbatimin e MSA-së por ende ka shumë punë për t`u bërë në rrugën evropiane.

“Ne kemi dëshmuar sukses në zbatimin e MSA-së, përshpejtimin e reformave nga Agjenda Evropiane si dhe 95 kërkesat që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Interesi i qytetarëve tanë mbrohet më së miri kur ne i zbatojmë marrëveshjet dhe dakordimet me BE-në”, theksoi  ajo.