Avdullah Hoti LDK

Hoti: Qeveria e PAN-it po inkurajon qytetarët që të konsumojnë duhan

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se koalicioni aktual qeverisës me vendimin për të ulur akcizën në duhanin që prodhohet në Kosovë, sipas tij po u thotë qytetarëve “konsumoni duhan vendor se është më pak i dëmshëm”.

“Qeveria e PAN-it e ka marrë edhe një “vendim të madh”, duke ulur akcizën në duhanin që prodhohet në Kosovë në vetëm 30% të çmimit të tregut, me arsyetim për të mbështetur prodhuesit vendor. Siç është raportuar në medie, në Kosovë ekziston vetëm një kompani prodhuese e duhanit, që është në bashkëpronësi të këshilltarit të Kryeministrit dhe një drejtori komunal nga partia e z.Ahmeti”, ka shkruar Hoti të mërkurën në rrjetin social ‘Facebook’.

Hoti thotë se Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Isa Mustafa dy herë radhazi e ka rritur akcizën në duhan për të dekurajuar konsumin.

“Për sqarim, qëllimi primar i akcizës nuk është mbledhja e të hyrave për buxhetin e shtetit, por dekurajimi i konsumit të mallrave që dëmtojnë shëndetin. Prandaj, Qeveria Mustafa dy herë radhazi e ka rritur akcizën në duhan për të dekurajuar konsumin, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit, si dhe për të barazuar akcizën në Kosovë me vendet e rajonit”, thuhet në postimin e Hotit.

Sipas tij, po të ishte qëllimi për të mbështetur prodhimin vendor, atëherë do të duhej të subvencionoheshin bujqit që prodhojnë duhanin.

“Bujqit do të rrisnin kultivimin e duhanit, duke ju mundësuar përpunuesve të duhanit të siguronin më lirë lëndën e parë dhe të dilnin në treg me çmime më të lira për duhanin e përpunuar”, ka shkruar shefi i grupit paralamentar të LDK-së.