Foto: Besim Hoti

Hoti: Policia e Kosovës nuk ka pranuar asnjë informatë për parregullsi në zgjedhjet në veri

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka dhënë detaje për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.

Sipas Hotit që nga orët e hershme të mëngjesit e deri më tash nuk kanë pranuar asnjë ankesë që do të ndikonte në procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që po mbahen në katër komunat veriore.

“Që nga orët e hershem të mëngjesit kur kemi filluar me zbatimin e planit operativ nuk kemi marrë asnjë informacion për ndonjë incident të mundshëm që do të ndikonte në procesin e zgjedhjeve. Në ditët e kaluara dhe tash nuk kemi pasur asnjë indikacion për ndonjë parregullsi të mundshme. Edhe gjatë mbrëmjes policia e Kosovës i ka njësitet e caktuara të cilat do të kujdesen për çfarëdo rasti të mundshëm që do të paraqitet”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Hoti po ashtu ka thënë se Policia e Kosovës është e gatshme që të zbatojë planin operativ edhe në orët e mbrëmjes.

Në katër komunat e veriut të Mitrovicës, po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme ku të drejtë vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Linku i Videos