Hoti: Nuk pranojmë mbështetjen e kushtëzuar të Listës Serbe për rrëzim Qeverie

I ftuar në emisionin “Argument Plus” ishte shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai foli edhe për tentimet e tyre për rrëzimin e Qeverisë, duke thënë se në atë moment kur do t’i mbledhin votat e nevojshme, do të dërgojnë në Kuvend një mocion mosbesimi. Kjo sipas tij mund të arrihet edhe me ndihmën e Listës Serbe, por jo nëse ata kanë kushtëzime.

Ishte deklaruar se në mënyrë që Lista Serbe të kontribuojë në rrëzimin e Qeverisë, kusht do të ishte heqja e taksës, mirëpo këtë e hedhë poshtë Hoti, shkruan rtv21.tv.

“Ne kemi deklaruar dhe po deklaroj edhe një herë që ne nuk do të pranojmë asnjë lloj kushtëzimi nga kushdoqoftë për të mbështetur mocionin e mosbesimit”, ka deklaruar Hoti.

Sipas Hotit kushdo që është i gatshëm për të rrëzuar këtë Qeveri dhe për të dërguar vendin në një proces të rregullt zgjedhor në mënyrë që vendit t’i jipet një Qeveri legjitime, LDK është e gatshme të punojë me ta./21Media