Foto: Avdullah Hoti - Facebook

Hoti në Washington, flet për përfshirjen e të rinjve në politikë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka marr pjesë në Forumin e Lidershipit të organizuar nga Kongresi Amerikan në Washington.

Hoti përmes Facebook-ut ka njoftuar se në këtë forum, bashkë me kongresistë amerikanë kanë diskutuar për avancimin e parimeve demokratike në botë.

Sipas Hotit, ky forum ka mbledhur parlamentarë nga 18 parlamente të botës.

“Isha i nderuar të jem njëri nga folësit në panelin lidhur me përfshirjen e rinisë në jetën parlamentare dhe në politikë në përgjithësi. Përfshirja e rinisë në politikë është kyçe për të siguruar se politika i adreson nevojat e tyre. Kjo përfshirje bëhet edhe më e rëndësishme në vendet si Kosova, ku popullsia është shumë e re dhe rreth 1/4 e popullsisë është në arsim”, ka shkruar ai më tej në Facebook.

Sipas Hotit, në shumicën e vendeve, politika ka ndryshuar ngadalë karshi nevojave të të rinjve.

“Si rezultat, shumë të rinj vendosin të migrojnë dhe kjo është duke na kushtuar si shoqëri.Kuvendi i Kosovës ka themeluar Grupin e Deputetëve të Rinj me deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, që kryesohet nga deputeti Rekaliu nga LDK-ja. Me gjithë vështirësitë, ky grup i deputetëve kanë përgatitur një plan pune, që është diskutuar me rininë dhe me OJQ, është aktiv në takime me të rinj dhe ka propozuar një rezolutë, e cila i kërkon ekzekutivit të merret me disa çështje specifike për të adresuar nevojat e të rinjve në arsim, punësim, biznes etj. Sidoqoftë, në vendet si Kosova, sfidat e rinisë janë në fakt sfida të gjithë shoqërisë”, thuhet në publikimin e tij.