Avdullah Hoti - Foto: Atdhe Mulla

Hoti: LDK mbështet nismat për dënimin e krimeve të regjimit serb, por jo formatin e Veselit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të themelohet komisioni shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë tha se LDK në parim e mbështet iniciativën e Veselit por jo formatin.

“LDK e mbështet çdo nismë për dënimin e krimeve të regjimit serb. Aktivistë të LDK dhe të shoqërisë civile i kanë dënuar para publikut dhe bashkësisë ndërkombëtare arrestimet, rrahjet vrasjet dhe masakrat e regjimit serb ne momente që e kanë rrezikuar edhe jetën e tyre”, tha Hoti duke shtuar se duhet vejmë në lëvizje mekanizmat shtetërore për të gjykuar këto krime.

Hoti tha se propozimi i  Veselit për komisioni shtetëror nuk është i duhur, ku pjesë e saj janë kryekuvendari, deputetë të pozitës dhe opozitës e KPK, KGJK dhe agjencione të tjera shtetërore.

“Cili mund të bëhet gjykatës, kush nga ndërkombëtarët me të cilët do ta themelojmë do t’i besonte gjykimit të deputetëve për krimet e luftës në Kosovë, prandaj kjo qasje tregon mungesë të kulturës institucionale.  Qëllimi mund të jetë i drejtë por sa i përket formatit dhe qasjes në këtë propozim duhet të rishikohet plotësisht”, tha Hoti duke bërë thirrje për rishikim të këtij komisioni.

Propozimi i LDK-së sipas tij është që Kuvendi sot të formojë komision që përgatit propozim – vendim i cili obligon të gjitha institucionet kompetente për dënimin e krimeve fillimisht nga drejtësia vendore pastaj ndërkombëtare.

“Ndryshimet legjislative për të ndryshuar rrugët ligjore për të ndjekur dhe dënuar krimet serbe në mungesë, të përmbajnë përmbledhjen e provave që gjinden, propozim vendimi duhet përmbaj veprimet strategjike në rrafsh diplomatik për të kërkuar nga partnerët krijimin e tribunalit të luftës”, tha ai.

Ai tha se institucionet e drejtësisë së Kosovës kanë dështuar për t’u marrë me krimet serbe që janë kryer në Kosovë.

https://kallxo.com/veseli-fton-deputetet-ta-perkrahin-iniciativen-e-tij/

.