Hoti: LDK ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti për konsultime

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se ende nuk kanë marrë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi, për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Sipas Hotit, këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive.

“Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ndër të tjerash ka bërë të ditur duke qenë se nuk ka një iniciativë të tillë nga Presidenti, do të kërkojnë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit.

“Në këtë seancë, paraprakisht do të kërkojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, e cila Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 mil euro. Votimi i kësaj marrëveshjeve kërkon 2/3 e votave të deputetëve dhe është e rëndësishme që këto fonde të mos humben ose të prolongohet shfrytëzimi i tyre, për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jo legjitime”, thuhet në publikimin e tij.

Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje ka nisur konsultimet me subjektet politike, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Presidenca ka njoftuar se dje Thaçi ka takuar përfaqësuesit e KDTP-së dhe ata të VAKAT nga grupi parlamentar 6+, ministrin në largim, Mahir Yagcilar dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani.

Ndërkaq, sot presidenti ka pritur në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e zyrës së presidencës.

Ai ka bërë të ditur se do t’i shterojë të gjitha mundësitë në konsultim me partitë politike në Kuvend për situatën e krijuar politike në vend.

Thaçi thotë se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e ka njoftuar se institucioni që ajo drejton është e gatshme për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Presidenti Thaçi ka theksuar se është thelbësore që Kosova të ketë qeveri të re,  funksionale, efikase, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më shpejtë, për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme”, thuhet tutje në komunikatë.

Pas takimit, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se nuk kanë diskutuar për datën e zgjedhjeve pasi që po presin t’i shtjerrin të gjitha mundësitë.

Kurse, partitë politike ndonëse kanë paralajmëruar se do të mblidhen për shpërbërjen e Kuvendit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.