Avdullah Hoti - Foto: Atdhe Mulla

Hoti: Interpoli e liberalizimi, koalicioni të marrë përgjegjësinë për këto dështime

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha në seancën e jashtëzakonshme që po zhvillohet aktualisht në Kuvendin e Kosovës se rreth mosliberalizimit të vizave nuk ka skepticizem por pakënaqësi ekstreme.

“Kulmi i dështimeve ishte dështimi i anëtarësimit në Interpol e dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Hoti në seancën e thirrur nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje rreth dështimit të liberalizimit të vizave.

Hoti tha se të njëjtit që kanë dështuar kanë fajësuar BE-në.

“Duhet të kuptojmë që dështimi i liberalizimit të vizave është ky vit i mbrapshtë i kësaj qeverisjeje”, tha Avdullah Hoti.

“Nuk po na njohin shtetet e reja. Në vend që të kemi njohje të reja po merreni me korrigjime të kufijve. Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë tutje. Ne presim që koalicioni të marrë përgjegjësinë për këto dështime”, shtoi Hoti.

Partitë opozitare, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme pas dështimit për liberalizimin e vizave.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, tha dje në Prishtinë se qytetarëve të Kosovës mund t’u hiqen vizat në vitin 2020.