Varreza e personave të vrarë në Krushë të Madhe gjatë masakrës së marsit 1999 - Foto: KALLXO.com

Hoti: Edhe 20 vjet pas, gjenocidi serb është i pranishëm kudo në Krushë të Madhe dhe të Vogël

Selami Hoti, përfaqësues i shoqatës së familjarëve nga Krusha e Madhe tha se mungesa e përgjigjes për fatin e Ukshin Hotit e rëndon edhe më shumë dhembjen e krushjanëve.

Hoti në takimin gjithëpërfshirës për Lansimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për krimet e Serbisë në Kosovë në emër të familjeve të viktimave nga Krusha e Madhe kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të jetë përkrahëse e kësaj iniciativës për kapjen dhe sjelljen para përgjegjësisë për kryerësit e krimeve ndaj popullatës shqiptare.

“Mungesa e përgjigjes për Ukshin Hotin vazhdon të rëndojë mbarë popullin e Kosovës. Nëse nuk dihet dhe nuk mund të arrihet e vërteta për profesorin duke i ditur me emër e mbiemër njerëzit përgjegjës për rrëmbimin e tij. Atëherë çfarë mund të shpresojmë edhe për 62 të zhdukurit me kamion në mes Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe. Gjenocidi në Krushë edhe 20 vjet pas luftës është i gjallë, është i prekshëm. Edhe tani familjarët janë në ankth dhe në pritje të zbardhjes së fatit të të zhdukurve. Deri tani drejtësia ka qenë selektive dhe e politizuar”, tha ai.

Ndërsa i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Muharrem Pajazitaj, tha se masakra e Dubravës ishte ndër më të rëndat dhe më famëkeqja që ndodhën në botën e civilizuar.

“Lloj-lloj maltretimesh kudo që gjenin njerëz, na dëbuan në podrume, dhanë urdhër të vritnin shqiptarë sa të mundnin. Ne kemi fakte, me emra dhe mbiemra. Edhe shteti serb ka çdo emër të stafit dhe të të burgosurve. Kufomat që i vranë i kishin vendosur në një lëndinë 3-4 km larg burgut të Dubravës”, tha ai.

Pajazitaj shtoi se UNMIK-u dhe EULEX-i dhe kanë dështuar.

“Kam dhënë dhjetëra deklarata dhe askush s`është marrë me mu.  Kush mund të thotë të pajtohemi me Serbinë pa u dënuar kriminelët. Masakra e Dubravës mund të krahasohet me kohën e Hitlerit. Duam të dimë për të gjitha masakrat se sa dëshminë na i ka lënë dhe sa na i ka marr EULEX-i. Të na çlirohet pak shpirti, të jetojmë edhe pak”, tha ai.

Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, organizatave dhe shoqatave për krime të luftës, deputetët të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita. Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, rektori i UP-së Marjan Dema e të tjerë.

KALLXO.com transmetoi direkt seancën nga Kuvendi i Kosovës, kliko në LINK