Avdullah Hoti LDK

Hoti: Bllokimi i KQZ-së shkelje kushtetuese nga Thaçi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kujtuar se sot mbushet një vit prej se është bllokuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga ana e Presidentit Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi nuk ka bërë emërimin e anëtarëve të KQZ-së edhe pas kalimit të afateve ligjore.

Hoti e ka përmendur edhe reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për çështjen e KQZ-së.

“Ambasada e SHBA-së në Prishtinë sot ka reaguar për këtë çështje, duke cituar edhe reagimet e opozitës.  Është shqetësues fakti që institucioni më i lartë i Republikë së Kosovës po përdoret për interesa politike. Kjo qasje duhet të marrë fund. Anëtarët e KQZ-së duhet të emërohen sipas Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhje, si dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Çdo veprim tjetër paraqet shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, edhe mos veprimi për një vit të plotë është shkelje e Kushtetutës.

“Presidenti ka obligim kushtetues të garantojë funksionimin e institucioneve të parapara me Kushtetutë, dhe KQZ-ja është institucion i paraparë me Kushtetutë”, ka përfunduar Hoti.

https://kallxo.com/ambasada-amerikane-kerkon-nga-thaci-ta-zhbllokoje-kqz-ne/