Holanda Shpallet Pjesërisht Përgjegjëse për Vrasjet në Srebrenicë

Gjykata e apelit në Hagë të martën vendosi se shteti holandez ishte pjesërisht përgjegjës për vdekjen e rreth 300 burrave boshnjakë të cilët u detyruan të dilnin nga një bazë paqeruajtëse holandeze pranë Srebrenicës në korrik të vitit 1995 dhe më pas u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Vendimi mbështeti një vendim të mëparshëm në vitin 2014 që paqeruajtësit duhet të kishin qenë të vetëdijshëm se boshnjakët do të vriteshin nëse do të dilnin nga baza ku ishin strehuar.

Kryetari i trupit gjykues Gepke Dulek-Schermers tha se trupat holandeze “e dinin ose duhet ta dinin” se burrat “rrezikonin vërtet t’i nënshtroheshin torturave ose ekzekutimit,” raportoi Reuters.

Gjykata vendosi se shteti holandez është përgjegjës për rreth 30 për qind të dëmeve të dhëna për të afërmit e viktimave, sepse ajo tha se nuk ishte e qartë nëse burrat do të ishin vrarë gjithsesi edhe nëse do të lejoheshin të qëndronin brenda bazës.

Vendimi vlen vetëm për rreth 300 boshnjakë që ishin strehuar në bazën në Potocari, jo për pjesën tjetër prej rreth 8,000 boshnjakësh nga Srebrenica që u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995 – një krim i klasifikuar si gjenocid nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Pasi Srebrenica u mora nga forcat serbe, shumë burra dhe djem boshnjakë u përpoqën të shpëtonin përmes pyjeve aty pranë, ndërsa të tjerët iu drejtuan bazës së paqeruajtësve të OKB-së në Potocari, ku ishte vendosur batalioni holandez (i njohur si “Dutchbat”).

Disa qindra burra arritën të hynin në bazën e Potocarit, por trupat holandeze u thanë se do të ishin të sigurt jashtë dhe i dorëzuan ata te serbët, të cilët më vonë i vranë.

Paqeruajtësit holandezë, të cilët ishin vendosur në Srebrenicë pasi ajo u shpall “zonë e sigurt” nga OKB në vitin 1993, kishin detyrimin të mbronin popullsinë civile.

Në një zhvillim të veçantë të hënën, më shumë se 200 ish-paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara nga Holanda do të padisin qeverinë holandeze që i dërgoi ata në Srebrenicë, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.

Lëvizja vjen pasi ministrja holandeze e mbrojtjes Jeanine Hennis-Plasschaert vitin e kaluar e përshkroi vendosjen në Srebrenicë si “një mision joreal në rrethana të pamundura”.

“Duke filluar që nesër (e martë), 206 nga klientët e mi do të kërkojnë një kompensim prej 22,000 eurosh secili,” tha avokati i trupave Michael Ruperti për AFP.

“Ata po përjetojnë edne dëmet në të gjitha aspektet e jetëve të tyre dhe besoj se ministria e mbrojtjes duhet të mbahet përgjegjëse për këtë,” tha Ruperti.