Pamje nga takimi i ambasadores holandeze me Kryeprokurorin e Shtetit dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial – Foto: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Holanda do të vazhdojë përkrahjen për sistemin prokurorial të Kosovës

Holanda do të vazhdojë të ndihmojë sistemin prokurorial të Kosovës si pjesë e mbështetjes për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe si pjesë e procesit të integrimit europian të Kosovës.

Kështu ka thënë ambasadorja holandeze në Kosovë, Gerrie Williems pas një takimi të zhvilluar me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar ambasadoren Williems se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është duke u angazhuar për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë prokurorët e shtetit, që ata të funksionojnë në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga askush.

Po ashtu, siç njofton një komunikatë e Zyrës për komunikim të Kryeprokurorit të Shtetit, Lumezi e ka falënderuar ambasadoren Williems për mbështetjen e dhënë në hartimin e draftit të Kodit të Etikës për prokurorët e shtetit, duke vlerësuar se ky dokument është shumë i rëndësishëm për punën e prokurorëve si dhe do të ndikojë në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së prokurorëve.

Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar ambasadoren Williems me hapat e ndërmarrë në plotësimin e Prokurorisë Speciale me prokurorë, gjë e cila do të ndikojë në trajtimin e rasteve që janë në kompetencë të kësaj prokurorie, sidomos të atyre rasteve që janë të përfshirë profili i lartë i të akuzuarve, si dhe rastet e shenjëstruara me të cilat në mënyrë intensive është duke u marrë kjo prokurori si dhe prokuroritë e tjera në nivel të Kosovës, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, e ka falënderuar ambasadoren Williems për mbështetjen e dhënë për Këshillin Prokurorial dhe ka siguruar se Këshilli sipas planit të punës të vitit 2018 do ta procedojë për miratim Kodin e Etikës për prokurorë.