Foto: UEFA

Historia Fillon me Një Pikë

11 lojtarët startues të përzgjedhur nga Albert Bunjaku për të filluar ndeshjen kundër Finlandës, do të hyjnë në historinë e futbollit të Kosovës si njëmbëdhetshja e parë që në një ndeshje zyrtare përfaqësuan Kosovën dhe për nder të të cilëve u intonua himni kombëtar i Kosovës.

Përkundër angazhimit maksimal të gjithë lojtarëve, Kombëtarja e Kosovës u desh të pajtohet që nga Turku i Finlandës të kthehet me vetëm një pikë.

Në një ndeshje ku lojtarët e rinj të Kosovës dhanë më të mirën e tyre, duke krijuar disa aksione të rrezikshme nga krahët përmes Bernard Berishës dhe Milot Rashicës por të cilave u mungoi finalizimi në pjesën e parë.

Edhe pse nuk krijuan shumë lojtarët e Finlandës shfrytëzuan gjatësinë e lojtarëve të tyre, duke kaluar në epërsi nga një ndërprerje përmes Paulus Arajuuri i cili në minutën e 18 shfrytëzoi një huti të mbrojtjes kosovare.

Pas golit të pësuar lojtarët e Kosovës përshpejtuan ritmin e lojës duke ju imponuar në gjysmëfushën e Finlandës por pa rezultate konkrete në pjesën e parë.

Sulmet e vazhdueshme të Kosovës vazhduan edhe në pjesën e dytë, ku përsëri përmes shpejtësisë së Bernard Berishës, Kosova krijoi shumë probleme për mbrojtjen finlandeze dhe nga një deprëtim i tillë, Berisha u pengua në zonën finlandeze dhe gjyqtari referoi penallti për Kosovën.

Shumë i sigurt nga pika e bardhë u tregua Berisha tjetër, Valoni i cili e shndërroi në gol, duke hyrë kështu në historinë e futbollit kosovar.

Vazhdimi i lojës u karakterizua me një rënie të tempos së lojës, me Kosovën që kishte përpjekje sporadike por që nuk dhanë rezultat, duke përmbyllur me barazim takimin e para të Kosovës.

Ky barazim është një bazë e mirë për trajnerin Bunjaku i cili do të ketë më shumë kohë në dispozicion për ndeshjen tjetër kundër Ukrainës për të kompozuar ekipin e tij.