Sokol Bashota, PDK, Klinë. Foto: Atdhe Mulla

Historia e gjykimit të të fuqishmëve të Klinës që përfundoi me dënime minimale

Me dënim minimal përfundoi aktakuza 72-faqëshe e prokurores së EULEX-it, Valeria Bolici.

Epilogu i kësaj aktakuze ishte 6 muaj burgim, i cili nuk do të ekzekutohet kurrë në rast se Sokol Bashota dhe Enver Berisha nuk do të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Kjo aktakuzë pati bërë bujë të madhe në mediat vendore pasi në të akuzoheshin njerëzit më të fuqishëm politikisht në komunën e Klinës.

Subjekt i aktakuzës ishin kryetari dhe nënkryetari i Klinës (Sokol Bashota dhe Enver Berisha ), zëvendësministri i FSK-së, Fadil Gashi dhe drejtori i Administratës së Komunës së Klinës, Esat Raci.

Ata akuzoheshin për mashtrim në detyrë dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa kryetari dhe zëvendëskryetari akuzoheshin edhe për deklarim të rremë të pasurisë.

Aktakuza rreth 72 faqëshe e prokurores speciale Bolici, e cila përmbante tri lloje veprash penale, dalëngadalë u shkurtua dhe mbeti vetëm me një vepër – atë të deklarimit të rremë të pasurisë.

Historia e gjykimit

Në dhjetor të vitit 2016 katër të pushtetshmit e Klinës u ulën për herë të parë në bankën e akuzuarit në lidhje me ketë rast.

Gjatë asaj seance ata ishin deklaruar të pafajshëm.

Pas kësaj seance prokurorja speciale e kishte zgjeruar aktakuzën dhe shqyrtimi fillestar ishte mbajtur sërish, ku prapë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Pas deklarimit të tyre dhe kundërshtimit të provave dhe aktakuzës, gjykatësi Sylë Lokaj kishte hedhur poshtë një nga veprat penale, atë të mashtrimit në detyrë.

Gjykimi kryesor filloi në shtator të vitit 2018. Tani në fuqi kishte mbetur vepra e keqpërdorimit të detyrës zyrtare për katër të akuzuarit ndërsa për Bashotën dhe Berishën kishte mbetur edhe deklarimi i rremë i pasurisë.

Gjykimi u përball me rrethana interesante.

Ai u përshkua me shtyrje të shumta, disa dëshmitarë ndryshuan deklaratat, prokurorja bëri vërejtje ndaj përfaqësuesit të Komunës duke i thënë se ka luajtur rolin e avokatit e jo palës së dëmtuar dhe rrethana të tjera.

Gjatë gjithë gjykimit katër të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje.

Heshtjen në fund të gjykimit e kishte arsyetuar ish-kryetari Sokol Bashota.

Ai kishte deklaruar se ishte mbrojtur në heshtje duke u frikësuar se mund të rrëshqiste për shkak të terminologjisë juridike.

“Jam duru shumë mos me fol që të mbrohem në heshtje se mos po rrëshqas për shkak të gabimeve të mundshme juridike. I mbështes deklarimet e avokatit tim”, deklaroi Bashota.

Prokurorja Sahide Gashi gjatë fjalës përfundimtare ishte shumë e zëshme.

Ajo deklaroi se politikanët dinë të bashkëpunojnë mirë kur është në pyetje përfitimi.

“Siç po del nga gjithë ky gjykim të gjithë subjektet politike kur është në pyetje për të përfituar bashkëpunojnë mjaft mirë mes vete”, deklaroi prokurorja Gashi.

Mirëpo prokurorja Gashi në fund të fjalës përfundimtare vendosi që të tërhiqet nga aktakuza, pasi vlerësoi se nuk ka arritur të provojë se katër të akuzuarit kishin ushtruar ndikim në votat e asamblistëve.

Ajo i mbeti pranë akuzës ndaj Bashotës e Berishës për deklarim të rremë të pasurisë, dhe kërkoi dënimin e tyre si dhe ndalimin e ushtrimit të detyrës në poste publike.

Aktgjykimi

Më datë 29 maj 2019, Gjykata e Pejës e dha fjalën e vet.

Me një dënim minimal prej 6 muajve me kusht e dënoi Sokol Bashotën dhe Enver Berishën pasi i gjeti fajtorë për deklarim të rremë të pasurisë.

Ajo çka ishte e pazakontë gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte shprehja e keqardhjes së gjyqtarit Sylë Lokaj ndaj Sokol Bashotës pas leximit të dënimit.

https://kallxo.com/video-gjykatesit-i-vjen-shume-keq-qe-e-denoi-sokol-bashoten/

Aktakuza

Prokuroria akuzonte Sokol Bashotën, Enver Berishën, Fadil Gashin dhe Esat Racin se në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katrorë.

Në aktakuzë thuhej se këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikuesit me gjendje të dobët ekonomike.

Çmimi të cilin do ta paguanin katër të akuzuarit për ato banesa sipas Prokurorisë, ishte 20 euro në muaj.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit kishin rënë dakord që ta ushtronin fuqinë e tyre politike për t’i siguruar votat e asamblistëve të Kuvendit Komunal për marrjen e atyre banesave.

Kandidati më i poentuar për marrjen e banesës kishte rezultuar kandidati Sokol Bashota. Ai ishte poentuar me 150 pikë nga komisioni të cilin sipas Prokurorisë vetë e kishte emëruar.

Sokol Bashota akuzohet edhe për mosdeklarim të dy veturave, veturës Jeep dhe BMW X5 në vlerë prej 65 mijë eurove, banesës 79 metra katrorë në Prishtinë si dhe të hyrave prej 3.000 euro në vit nga qiraja e banesës.

Ndërsa Enver Berisha akuzohet se nuk e kishte deklaruar tokën me sipërfaqe prej 5.500 metra katrorë edhe pse ishte i detyruar ta deklaronte.