Historia e ‘Dajës’ me Shokë

Shtatë nga personat e hetuar në grupin ku bën pjesë edhe Azem Syla kanë qenë apo janë duke u përballur me drejtësinë.

KALLXO.com mëson se katër nga të dyshuarit, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Driton Hajdari dhe Shaban Syla, janë duke vuajtur dënimin për gjyqet në rastet “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2”, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë, ish-kryetari i Gjykatës së Prishtinës, Nuhi Uka dhe shoferi i PDK-së, Artan Villa, janë duke u përballur me procese gjyqësore që lidhen me tjetërsimet e pronave shoqërore.

Vetë Azem Syla, i njohur me nofkën “Daja”, ka mbyllur një rast gjyqësor në vitin 2012, në të cilin ishte shpallur i pafajshëm ndaj pretendimeve të Nazim Bllacës.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së lajmin se hetimet ndaj tij kanë pushuar në atë kohë e kishte quajtur “një e mirë e përgjithshme”.

Një aksion për bastisjen e shtëpisë së Azem Sylës nga EULEX-i kishte ndodhur edhe më 2012.

“Bastisja spektakolare ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe qëllimkeqe. Të gjitha sendet që janë marrë kanë qenë personale dhe të gjitha ato do të kthehen”, kishte deklaruar në atë kohë avokati i tij, Tomë Gashi.

Por, gjysmë viti më vonë, një epitet tjetër i ishte dhënë Sylës.

Një trup gjykues e përshkruante Azem Sylën si figurë qendrore dhe drejtuese të një grupi kriminal përgjegjës për vrasje dhe e ndërlidhte atë me ish-Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

Ky aktgjykim, të cilin e posedonte dhe për të cilin kishte shkruar në 2013 Gazeta JnK, thotë se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte figurë qendrore dhe drejtuese e një grupi kriminal përgjegjës për vrasje dhe eliminime.

Kujtojmë që në mars të vitit 2012, Syla ishte urdhëruar të lëshonte Zvicrën. Një gjykatë e këtij shteti kishte lëshuar urdhër dëbimi pasi kishte gjetur se Syla kishte bërë shkelje të rënda të ligjeve të Zvicrës.

Syla – Figurë Qendrore e Grupit Kriminal

Po në këtë vit u konfirmua edhe aktakuzë për tjetërsim të pronës shoqërore në pronë private ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka.

Në atë kohë, avokati i tij, Tahir Rrecaj, kishte thënë se “prokurori gabimisht ka vlerësuar provat dhe faktet dhe nuk ka qenë objektiv në përpilimin e aktakuzës, duke bërë që të shkelet parimi i barazisë së armëve, nga fakti se nuk janë marrë parasysh edhe rrethanat të cilat shkojnë në favor të të pandehurve”.

Për rastin e keqpërdorimit të pronave të “Kosova Exportit”, Nuhi Uka dhe 7 gjykatës tjerë u dënuan ngase që nga paslufta deri në vitin 2006 kishin tjetërsuar më shumë se 10 hektarë pronash të ndërmarrjes KBI “Kosova Export” në “Veternik”, Çagllavicë, e Llapnasellë me anë të nxjerrjes së 15 vendimeve gjyqësore.

Nuhi Uka deri në vitin 2010 ishte kryetar i ish-Gjykatës Komunale të Prishtinës, ndërsa ishte dënuar me dy vjet burg me kusht dhe 3 vjet mos-ushtrim të profesionit në vitin 2014 nga Gjykata Themelore në Prizren.

Nuhi Uka: Gjykimi Që Stimulon Korrupsionin

Ndërkohë dy javë më parë ishte shtyrë gjykimi për pronat në Çagllavicë, në të cilin grup bënë pjesë edhe Arton Villa. Grupi prej 23 personave janë të akuzuar për shpërdorime me prona publike me vlera milionëshe.  Ky proces gjyqësor është duke vazhduar pa praninë e publikut.