Përfitimet për të Kthyerit

Rregullorja për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Menaxhimin e Programit të Riintegrimit e gushtit të vitit 2015 ua mundësonte të kthyerve në Kosovë përfitimin nga programet e ndryshme t6ë vetëpunësimit vetëm atyre që kanë lëshuar vendin para 28 korrikut të vitit 2010. 

Por kabineti qeveritar e miratoi sot projekt-rregulloren për riintegrim, ku u hoq krejtësisht data e largimit nga Kosova si kusht për përfitim ndihmash.

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni tha se projekt-rregullorja synon integrimin e qëndrueshëm të të kthyerve dhe zbatimin e Strategjisë për Riintegrim të tyre.

“Me këtë projekt-rregullore personat e riatdhesuar mund të jenë përfitues të ndihmës dhe mbështetjes në asistencë për vetëpunësim, përkatësisht financim,  plan të bizneseve pavarësisht datës së largimit të tyre,” tha Hyseni.

Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku e përshëndeti këtë iniciativë të MPB-së për ndryshimin e kësaj projekt rregulloreje dhe sidomos për heqjen e datës së atyre që do të përfitojnë nga procesi i riintegrimit.

“Ekzistimi i datës deri më tani ka shkaktuar konfuzion dhe shumë njerëz të cilët janë larguar nga Kosova pas vitit 2010 nuk e kanë ditur që përkundër kësaj përsëri kanë mundur të përfitojnë, sepse vetë ekzistimi i datës aty i ka hutuar,” theksoi Çollaku.

Sipas Çollakut, kjo ka qenë edhe një kërkesë eksplicite nga Komision Evropian e cila më në fund është përmbushur.

Çollaku shprehet i sigurt që tani të gjitha mjetet që ndahen në kuadër të fondit për riintegrim do të shpenzohen në masën maksimale të mundshme në mënyrë që të ketë rritje të ndjeshme të numrit të atyre qytetarëve të Kosovës që do të përfitojnë nga ky fond.

KALLXO.com më 14 janar të këtij viti kishte përcjellë konferencën e organizuar nga MPB-ja ku ministri kishte thënë se nga fundi i 2014-ës e deri në fillim të 2015 nga Kosova drejt vendeve të BE-së u larguan 80 mijë persona, ndërsa tregoi se deri në janar ishin rikthyer rreth 17 mijë persona.

http://kallxo.com/sivjet-3-milione-euro-per-te-riatdhesuarit/ [interaction id=”56dffb1736e5105a3a86fbf9″]