Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Hetuesit e Speciales marrin në pyetje ‘Mollën e Kuqe’

Hetuesit e Prokurorisë së Specializuar e kanë intervistuar ish-eprorin e UÇK-së, Remzi Shala.

KALLXO.com merr vesh se hetuesit e Speciales e kanë intervistuar Shalën për dy ditë rresht.

Ende nuk dihet se për cilin rast është intervistuar ai, apo nëse është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit apo dëshmitarit.

Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe” është duke u mbajtur tash e gati dy muaj në paraburgim, meqë është në proces gjyqësor në Prizren për një akuzë për krime lufte për zhdukjen e Haxhi Perteshit në vitin 1998 në rrethinën e Suharekës.

Verdikti në këtë proces gjyqësor do të jepet gjatë ditës së sotme.

Por hetuesit e Prokurorisë së Specializuar i kishin bërë ftesë Shalës që të paraqitet në Hagë për t’u marrë në pyetje qysh në fillim të këtij viti.

Shala kishte refuzuar për t’u paraqitur në këtë intervistim, duke thënë se nuk e njeh Gjykatën Speciale, prandaj kishte kaluar për disa muaj në arrati, deri sa ishte gjetur dhe arrestuar nga Policia e Kosovës në maj të këtij viti.