Hetuesi i EULEX-it: Kallxuesi Murat Mehmeti Duhet të Mbrohet

Shefi i Njësisë për Krime të Organizuar në misionin EULEX që ishte marrë me hetimin e kompanive fantome dhe evazionit fiskal në Kosovë, beson se Murat Mehmeti kishte zbuluar diçka shumë më të madhe dhe për këtë duhet të mbrohet brenda ATK-së.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, sot i dedikohet vjedhjes së organizuar tatimore dhe është vetëm pjesa e parë e trilogjisë mbi këtë çështje.

Kallxuesi kryesor i skemës së evazionit fiskal, hetuesi i ATK-së, Murat Mehmeti, sipas hetuesit të EULEX, Alan Eduards është i rrezikuar në pozicionin që mban në ATK.

“Së pari duhet ta dini që hetimi që ne kemi zhvilluar, pra ky rast, asnjëherë nuk ka shkuar në Gjykatë. Ne kemi hetuar kompanitë fantome. Ka pasur elemente të ndryshme që kemi përdorur këtu duke përfshirë prokurorë ndërkombëtarë, prokurorë vendorë si dhe policë e inspektorë tatimorë. Unë kam dashur që të  merren me gjithë sistemin ngase kam besuar që ka qenë krim i organizuar dhe kam dashur të merrem me të gjitha kompanitë, ngase secila kompani që në raportet e veta të auditorit ka pasur një kompani fantome, realisht ka kryer mashtrim, sipas mendimit tim”, tha Eduards.

Sipas tij, potenciali i Mehmetit nuk është shfrytëzuar nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe pozicioni I tij në të ardhmen nuk dihet.

“Unë besoj që ai duhet të dëgjohet dhe të mbrohet. Është shumë e vështirë kur të jeni brenda sistemit dhe shihni duke ndodhur gjëra që nuk janë në rregull. Unë besoj që Administrata do duhej ta kishte dëgjuar, ai e di shumë mirë se për çka po flet, ai është ekspert i fushës së tij. Unë mendoj se ai duhet të mbrohet tani, ngase nuk e di se çka e pret atë në të ardhmen”, tha Eduards.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: