Hetimi për trafik droge rikthen akuzat për blerje të votave

Partia Demokratike në opozitë kërkoi hetim mbi blerjet e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 pasi hetimi i prokurorisë mbi një organizatë të madhe kriminale të trafikut të drogës zbuloi edhe dy episode që duket se tregojnë blerje votash nga mbështetësit e socialistëve nga rradhët e të akuzuarve për trafikantë.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi të premten se ai kërkonte një hetim të thelluar mbi dyshimet për blerje votash nga socialistët në pushtet, duke pretenduar se socialistët e realizuan fitoren e tyre masive në zgjedhjet e vitit 2017 përmes bashkëpunimit me kriminelët.

Pasi policia shqiptare kreu një operacion të madh kundër katër grupimeve të ndërlidhura me njëra-tjetrën që merreshin me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, Partia Demokratike dhe media publikuan biseda të përgjuara dhe paragrafë të rrjedhur në publik nga dosja hetimore, ku zbulohen rastet e dyshuara të të akuzuarve të përfshirë në praktika blerjesh votash për Partinë Socialiste.

“Tani është e qartë për të gjithë se [kryeministri i Shqipërisë] Edi Rama kishte një plan në të gjithë vendin për të vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me kriminelët”, aludoi Basha në një mesazh në Twitter.

“Një hetim i thellë dhe i pavarur nevojitet urgjentisht mbi këtë operacion kriminal,” shtoi ai.

Opozita pretendon gjithashtu se prokuroria shqiptare është përpjekur të nënvlerësojë lidhjet mes bandës kriminale dhe Partisë Socialiste dhe se nuk ka hetuar siç duhet kryebashkiakun socialist të Durrësit Vangjush Dako.

Një paragraf nga dosja e prokurorisë i rrjedhur në media tregon se Gjevi Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, u përgjua duke blerë vota për socialistët.

Arben dhe Gjevi Ndoka janë arrestuar të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim toke publike si pjesë e operacionit. Që të dy u deklaruan të pafajshëm para Gjykatës së Krimeve të Rënda të mërkurën, por u lanë në masën e sigurisë Arrest me Burg.

Gjithsesi, trofeu më i madh për opozitën erdhi nga biseda të përgjuara mes Dakos dhe Altin Avdylin, një të dyshuar për trafik droge. Në bisedë Dako dëgjohet duke thënë se dëshironte të takonte vëllain e Avdylit, i cili është gjithashtu i arrestuar, për ta falënderuar atë. Biseda raportohet se është zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Në një bisedë të dytë të përgjuar, Avdyli flet me një person tjetër, i cili i thotë se një familje me gjashtë vota dëshiron të shesë votat dhe nxit Avdylin t’i thotë Dakos t’i paguajë.

Duke folur në emisionin Opinion në TV Klan të enjten në darkë, Dako nuk mohoi se ai ka folur me të dyshuarin por tha se si politikan, ai flet me të gjithë votuesit.

“Nuk ka bir kurve që flet më shumë se unë me votuesin,” tha ai. Dako mohoi akuzat për blerje votash: “Unë nuk i kam fituar zgjedhjet me para,” tha ai.

Dako iu përgjigj akuzave të opozitës me gjuhë edhe më fyese në një status në Facebook të premten. Ai deklaroi se do të ngre padi në gjykatë, në vijimësi të deklaratave të përsëritura të Ramës për të denoncuar për shpifje kundërshtarët e vetë politikë.

Partia Socialiste realizoi fitoren e saj më të madhe në shumë kohë në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Rezultati i saj zgjedhor në qarkun e Durrësit u përmirësua nga 39% më 2013 në gati 50%.

Në Lezhë, PS arriti për herë të parë të kapërcejë PD-në si partia më e madhe duke u rritur nga 33 në 42% të votave.

Në rang kombëtar, PS arriti të marrë për herë të parë që nga viti 2001 fitoren e shumicës së thjeshtë parlamentare me 74 deputetë.