Pamje nga homazhet për Astrit Deharin - Foto: Atdhe Mulla

Hetimet për vdekjen e Astrit Deharit vazhdojnë të jenë të hapura

Prokuroria Themelore në Prizren ende nuk ka pranuar ndonjë rezultat nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze lidhur me shkakun e vdekjes së Astrit Deharit.

Rrugëtimit më shumë se dy vjeçar për zbulimin se çfarë saktësisht i kishte ndodhur  aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit ende nuk i ka ardhur fundi.

Kjo pasi që hetimet ende vazhdojnë të jenë të hapura dhe ende nuk ka ndonjë ekspertizë ligjore e cila tregon saktësisht se nga çka vdiq Astrit Dehari.

Vdekja e Astrit Dehari në njërën nga dhomat e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, mbetet ende një mister.

Që nga ajo ditë ende vazhdojnë të mbeten dilemat dhe paqartësitë se çfarë saktë kishte ndodhur dhe se si Astrit Dehari kishte vdekur.

Më 8 nëntor të vitit 2016 ishte varrosur Astrit Dehari ndërsa nga rezultatet e autopsisë së të njëjtit, sipas kryeprokurorit të atëhershëm në Prizren, Sylë Hoxha, Astriti kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

Për të zbardhur rastin do të duhej rezultati i një super-ekspertize e cila pritej të ndodhte së shpejti.

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Qeveria e Kosovës ndau 50 mijë euro për mbulimin e kostos së super-ekspertizës që do të hiqte çdo dyshim mbi vdekjen e Astrit Deharit.

Në dhjetor të vitit 2016 Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet.

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të vitit 2017 kishin thënë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Në lidhje me këtë rast dhe këtë ekspertizë, Prokuroria Themelore në Prizren ende nuk ka pranuar ndonjë rezultat nga po i njëjti institut.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju konfirmon se rasti i A. D është duke u trajtuar ende në Qendrën Universitare të Mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës. Andaj, ju njoftojmë se akoma nuk kemi pranuar rezultatet e ekspertizës nga instituti në fjalë”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Tre muaj pas sulmit të kuvendit një lajm mori vëmendjen e të gjithëve, pasi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana të paqarta kishte vdekur një 26 vjeçar emri i të cilit u bë publik nga vetë partia të cilës i përkiste Arstit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për Astrit Deharin, u ngritën debate publike, u protestua, u marshua, u mbajtën edhe interpelanca, u kërkua dorëheqja e krerëve të institucione të drejtësisë në atë kohë, por ende nuk u zbulua se si kishte vdekur ai.

KALLXO.com vitin e kaluar me anë të një analize ka raportuar për misterin e vdekjes së Astrit Deharit.

Vdekja e Astrit Deharit ende mbetet një mister