Heshtje rreth pronës për të cilën prokuroia thotë se u kidnapuan fëmijë e u plagosën 13 persona

Arben Bashota dhe dy të akuzuarit tjerë, mbrohen në heshtje lidhur me akuzat për krim të organizuar detyrim dhe falsifikim të dokumenteve. Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Tre të akuzuarit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami në seancën e sotme kur ju erdhi radha që ta japin mbrojtjen, të njëjtit e shfrytëzuan të drejtën ligjore të mbrohen në heshtje.

Ndërsa në fillimit të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti bëri të ditur se me datën 18 mars, Gjykata ka pranuar një parashtresë nga mbrojtësja e të akuzuarit Arben Bashota, avokatja Luljeta Jashari, e cila përmes shkresës i kishte propozuar Gjykatës aprovimin e disa provave të reja, si dhe propozime pati edhe nga avokati Sokol Dobruna si dhe nga pala e dëmtuar, avokati Skënder Musa.

Lidhur me këto prova të propozuar nga avokatja Luljeta Jashari, si dhe avokatët Dobruna dhe Beka kundërshtime pati nga ana e Prokurorisë si dhe nga ana e palës së dëmtuar.

“Konsideroj se provat e propozuara nga ana e mbrojtjes janë shkresa të cilat Gjykata dhe Prokuroria  i posedoj edhe më herët, këto janë shkresat të cilat janë të bëra brenda periudhës inkriminuese në faza të ndryshme të ngjarjes e cila është e përshkruar në dispozitivin e aktakuzës, ashtu që konsideroj se janë plotësisht të panevojshme me të cilat nuk vërtetohet asgjë. Andaj propozoj që trupi gjykues t`i refuzoj si të pa nevojshme”, tha prokurorja Merita Bina- Rugova.

Pas shqyrtimit të këtyre provave, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Arben Hoti, vendosi që provat e propozuara nga avokatja Luljeta Jashari dhe avokati Skënder Musa t`i aprovojë, ndërsa i refuzoi provat e propozuara nga avokati Sokol Dobruna.

Fjala përfundimtare do të jepet në seanca e radhës e cila do të mbahet me 30  prill.

Aktakuza e Prokurorisë

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarit Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas prokurorise Murat Ternava pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e objekteve të ndërtuara në pronën kontestuese nga të dëmtuarit është më shumë se 5 milionë euro.

E kujt është prona 10 hektarëshe ?

Pronësia mbi pronën 10 hektarëshe është elementi kyç që Prokuroria ka ngritur aktakuzën ndaj Arben Bashotës dhe vëllezërve Bajrami.

Viti 2004 shënon fillimin e presioneve të të akuzuarve ndaj të dëmtuarve. Sipas Prokurorisë, Arben Bashota kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale të Prishtinës të datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit prona e kontestuar i ishte kthyer në pronësi private personit të quajtur Marko Mitroviq.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Arben Bashota po ashtu me një autorizim të falsifikuar pretendon se është i autorizuari i Mitroviqit që të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike në lidhje me pronën.

Prokuroria pretendon se pikërisht duke u thirrur në këto autorizime Bashota kërkon nga Drejtoria e Kadastrës që të bëjë regjistrimin e këtyre ndryshimeve të pronësisë.

Sipas Prokurorisë, Drejtoria e Kadastrës në mars të vitit 2004 vihet në lajthitje dhe në bazë të kërkesës së Bashotës merr aktvendim me të cilin e vërteton atë çështje dhe disa ditë më pas lëshon edhe fletën poseduese për këtë pronë.

Për të vërtetuar pretendimin e saj Prokuroria përmend se ndaj Mitroviqit është zhvilluar procedurë penale për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2006.

Pikërisht, Mitroviq sipas aktakuzës së prokurores Bina-Rugova, me anë të 6 kontratave të shitblerjes i ka shitur pronën kontestuese Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, Smajl Mehmetit, Xhyle Marajt, Violeta Ahmetit dhe Myzafer Maliqit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit me këto dokumente kanë insistuar te të dëmtuarit që t’u lirohen pronat, duke u paraqitur vazhdimisht në atë tokë dhe duke pohuar se është e tyre.

Viti 2007 sipas Prokurorisë shënon edhe fillimin e kërcënimeve serioze nga të pandehurit drejt të dëmtuarve ashtu që ndodhin disa incidente, siç ishte rasti i marsit 2008 kur Osman e Sylejman Bajrami dhe Ruzhdi Shaqiri paraqiten me ekskavator dhe fillojnë të groposin në pronë.

Të njëjtën ditë sipas Prokurorisë në një lokal në Prishtinë, Ruzhdi Shaqiri, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve Ismet Osmani dhe Hysen Shahini dhe nga ky rast kishin mbetur të plagosur 13 persona.

Sipas Prokurorisë, Mitroviq në vitin 2012 lirohet përfundimisht nga akuza dhe kjo shënon edhe një ngjarje tjetër të rëndësishme për këtë lëndë.

Prokuroria pretendon se Arben Bashota duke përdorur kërcënimin serioz kundër zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës arrin që më 10 maj 2012 të hiqet masa e sigurisë, ndalesa e tjetërsimit dhe aprovohen kërkesat për bartje të kësaj prone dhe të regjistrohen në emrat e gjashtë personave të cilët kinse i kanë blerë këto prona tashmë të parcelizuara nga Marko Mitroviq në mars të vitit 2004.

Aktakuza pretendon se vetëm disa ditë pasi që ka ndodhur kjo, në objektet e të dëmtuarit Murat Ternava kanë shkuar të pandehurit Arben Bashota, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami dhe i ndjeri Ruzhdi Shaqiri dhe këta dy të fundit me revole në dorë kanë kërkuar nga të pranishmit që t’i lironin objektet.

Për më tepër sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin lënë edhe një “njoftim” që kërkonte që uzurpatorët të lironin objektet.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, presioni ishte intensifikuar dhe të pandehurit të dëmtuarve u kishin lënë edhe një ultimatum ku thuhej se “ose t’i lirojnë objektet ose do të vijë deri tek më e keqja”.

Prokuroria pretendon se si pasojë e presionit në Durrës kishte ndodhur një takim mes të dëmtuarit Murat Ternava dhe Ruzhdi Shaqirit, i cili fliste në emër të Arben Bashotës dhe Osman Bajramit dhe nga ky takim është vendosur që Murat Ternavës t’i lejohej të shfrytëzohej vetëm njëri prej objekteve për biznesin e tij familjar dhe se për këtë ai do të paguante çdo muaj shumën prej 6,350 euro.

Prokuroria më tej në aktakuzë përshkruan se si pasi kishte bërë një denoncim në polici, i dëmtuari Murat Ternava ishte detyruar nga persona të paidentifikuar e të armatosur ta tërhiqte këtë denoncim. Kjo ka ndodhur në kohën kur djali i tij po mbahej peng.

 

 

 

https://kallxo.com/rasti-i-shenjestruar-shtyhet-gjykimi-avokatja-shkon-e-papregatitur-ne-seancen-per-krim-te-organizuar/

 

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.