Partnerët e koalicionit PAN

Heshtja e partnerëve të Ramush Haradinjat

Partnerët e Ramush Haradinajt janë duke heshtur pas vendimit të këtij të fundit për të dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit.

As Fatmir Limaj, as Kadri Veseli e as Behgjet Pacolli nuk kanë reaguar ende pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinajt.

Ramush Haradinaj ishte zgjedhur kryeministër pas një koalicioni parazgjedhor me PDK-në dhe Nismën.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, atyre iu është bashkuar edhe Behgjet Pacolli me disa deputetë.

Albin Kurti e ka quajtur të vonuar dorëheqjen e Ramush Haradinajt, mirëpo arsyen e dorëheqjes e quajti të gabuar.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa beson se Haradinajt do të dal përsëri i pafajshëm.

“Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe poashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj në konferencë para gazetarëve ka lexuar letrën ku ai jep dorëheqje nga pozita e tij, duke njoftuar njëkohësisht se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj ka deklaruar se po jep dorëheqje nga posti i Kryeministrit, pasi që dëshiron të shkoj në Hagë si qytetar e jo si Kryeministër.

Ai ka deklaruar gjithashtu se taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet, ndërsa ka kërkuar nga Presidenti që në afatin kushtetues të kryej konsultimet me partitë politike dhe ti shpallë zgjedhjet e parakohshme.

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.