Hedhja e shortit te Liges se Kampioneve Foto: FC Drita /Facebook

Hedhet shorti i Ligës së Kampionëve, Drita premton që nuk do të udhëtojnë si turistë

Sot gjatë ditës është hedhur shorti për kualifikimet e Ligës së Kampionëve i cili klubit kampion të Kosovës, KF Drita, ia përcaktoi të ndeshet me klubin e Andoras, Santa Coloma.

Ndeshja në mes të KF Drita dhe Sata Colomas do të zhvillohet me 26 qershor në Gjiblartar në ora 17:30.

Në ndeshjen tjetër takohen La Froita kundër Lincoln. Skuadrat fituese do të luajnë ne finale me datën 29 qershor në ora 21:00.

Drejtori Sportiv i KF Drita, Fisnik Kërçeli në një deklaratë të shkurtë për KALLXO.com e ka vlerësuar kundërshtarin, mirëpo thotë se nuk do të udhëtojnë si turist, por se do të japin një mesazh të mirë atje.

“Kemi informacione për ekipin, është një ekip e mirë edhe jemi duke mbledhur edhe më shumë informata. Ne do të shkojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë atje e të mos shkojmë si turistë. Ne po udhëtojmë që të japim një mesazh të mirë dhe të tregojmë se ne vlejmë”, tha drejtori Kërçeli për KALLXO.com

Kërçeli thotë se për këtë ndeshje janë përforcuar me 3 blerje të reja. Sipas tij, mbi 90% e stafit dhe lojtarëve e kanë përfunduar aplikimin për procedurat e vizës.

Drita është shpallur kampion i Kosovës këtë sezon për herë të dytë në histori të klubit.

Vitin e kaluar Trepça 89 kishte marrë pjesë në parakualifikimet për Ligën e Kampionëve, por nuk kishte arritur të kaloj më tutje.