Foto: Komuna e Gjilanit

Haziri: Në gala mbrëmjen humanitare u premtuan afro 100 mijë euro për studentët

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë një takimi publik me qytetarët e këtij qyteti, tha se në gala mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata III”, të organizuar nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Klubin Rotarian “Gjilani” për mbështetje ndaj studentëve, janë premtuar afro 100 mijë euro nga njerëzit e vullnetit të mirë

Haziri po ashtu tha se 2018-ta ka qenë vit i brishtë në kuptimin politik, por tha se për Komunën e Gjilanit ka qenë vit shumë i mirë.

“Autostrada është projekti më i madh për këtë zonë, i cili ka filluar dhe më gëzon fakti që Komuna ka punuar shumë në përpilimin e planit ideor. Përpos kësaj, investime të mëdha kemi bërë edhe në infrastrukturë në shumën prej 3.2 milionë euro”, tha Haziri, njofton Komuna e Gjilanit me anë të një komunikate për media.

“Kemi filluar me ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, vazhdimin e hyrje daljes Gjilan-Ferizaj, rreth rrotullimin te Rruga e Prishtinës, rrugët, kanalizimin e ujësjellësin në disa lagje dhe në fshatra të Gjilanit. Po ashtu, e kemi bërë mbulimin e lumit “Mirusha” deri tek Rruga Qarkore, ndërkaq në pjesën e jugut kemi filluar me ndërtimin e shëtitores. Por, projekti më i madh që do të nis në vitin e ardhshëm është ai i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 22 milionë euro”, është shprehur Haziri.

Për arsimin tha se vazhdon të mbetet prioriteti kryesor i qeverisjes, ndërkaq në bujqësi ka përmendur se vlera e subvencioneve të përbashkëta me Ministrinë e Bujqësisë arrin në mbi 1.2 milionë euro.

“Përpos këtyre, kemi filluar me rindërtimin e stadiumit të qytetit, kemi përfunduar dy stadiume ndihmëse, sikurse edhe që po vazhdojmë me ndërtimin e QKMF’së. Ajo që më gëzon fakti është që përmes projekteve kemi mbështetur të rinjtë në aspektin e trajnimeve”, tha Haziri.

Duke folur për mbështetjen në aspektin e kulturës, kreu i Gjilanit ka pohuar se këtë vit teatri i qytetit është storie e suksesit.
“Mbi 100 mijë euro e kemi subvencionuar këtë institucione sivjet dhe menaxhmenti e ansambli rezident, e ka kthyer Gjilanin në qendrën më të madhe kulturore”, ka deklaruar kreu i gjilanasve.

Në këtë takim publik, kryetari Haziri pohoi se është krenar që Gjilani komunë është prijëse sa i përket partneritetit me donatorët që janë qeveritë e ndryshe të botës.

“Me Komisionin Europian, USAID, HELP, SIDA etj., jemi duke i implemetuar shtatë programe zhvillimore për Gjilanin në disa fusha dhe jam krenar që jemi komunë lidere edhe në këtë fushë”, ka thënë Haziri.