Violeta Haxholli, KDI

Haxholli: Delegacioni Shtetëror s’ka më vlefshmëri juridike

Violeta Haxholli nga KDI tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se Ekipi Negociator nuk ka kompetenca për zhvillim të bisedimeve për dialogun me Serbinë, është një goditje e fuqishme për këtë ekip.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një goditje e fuqishme për Delegacionin Shtetëror dhe vazhdimi i ekzistimit të këtij ekipi pas këtij vendimi me nuk ka kuptim meqenëse funksionimi i tij më nuk ka bazë ligjore. Ky Delegacion, i cili u krijua pa përkrahje të spektrit të gjerë politik dhe me mungesë legjitimiteti tani u kontestua edhe nga organi me i larte shtetëror Gjykata Kushtetuese”, tha Haxholli për KALLXO.com.

Ajo shtoi se i vetmi dokument qe Delegacioni tani mund te bazohet është rezoluta e Kuvendit e 15 dhjetorit 2018 e cila nuk ka fuqi juridike.

“Për më tepër vet në tekstin e kësaj rezolute në paragrafin tre të saj thuhet se: me ligj synohej vlefshmëria juridike dhe sanksionimi ligjor i përmbajtjes se Platformës së Dialogut dhe përgjegjësive të Delegacionit”, tha Haxholli.

Haxholli theksoi se me këtë vendim as platforma për dialogun e as delegacioni nuk kanë më vlefshmëri juridike.

“Tani pasi që ligji është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese do të thotë se as Delegacioni dhe as Platforma për Dialogun e hartuar nga ky Delegacion nuk kanë vlefshmëri juridike”, tha në fund ajo për KALLXO.com