Haxhiu: Ministri i Drejtësisë po Cënon Pavarësinë e Gjyqësorit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit në një takim të përbashkët me kryetarë të gjykatave dhe kryeprokurorë të prokurorive për të diskutuar lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit si kusht për liberalizimin e vizave.
Ajo përmes një statusi në Facebook ka thënë se kjo është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Prezenca e Ministrit të Drejtësisë, në punën e insistiticioneve të drejtësisë, për ne është e papranueshme. Është cenim i drejtpërdrejtë dhe i hapur edhe e asaj pak pavarësie që ka sistemi i drejtësisë. Një Ministër që keqpërdorë Ministrinë e Drejtësisë për të ndërhyrë në sistem dhe një Ministër si Abelard Tahiri, vetëm sa e pengon edhe më shumë punën e prokurorive dhe gjykatave”, shkroi Haxhiu.
Ajo po ashtu tha se kjo përbën vepër penale të quajtur ‘Shkelje e fshehtësisë së procedurës’.
“Siç kemi kuptuar, në këtë takim janë përmendur emra të përveçëm që janë duke u gjykuar për raste korruptive. Abelard Tahiri, vetëm sa do të bëj dëme dhe do të krijojë probleme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Poashtu, ne shprehim shqetësimet tona në raport me qasjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial”, tha më tutje Haxhiu
Ajo ka bërë thirrje për institucionet e drejtësisë që të respektojnë obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore.
KALLXO.com po ashtu kishte raportuar lidhur me mbylljen e këtij takimi për media.
http://kallxo.com/takimin-per-rastet-e-shenjestruara-kgjk-e-mban-me-ministrin-por-pa-mediat/