Haxhiu: Aktivistit tonë në burg nuk po i jepet ushqimi i caktuar nga mjeku

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka shkruar në Facebook, se aktivistit të këtij subjekti, i cili vazhdon të qëndrojë në paraburgim edhe për dy muaj, nuk po i servohet ushqimi i caktuar nga mjeku.

“Sipas  informacioneve që i  kemi, njërit nga ata, Hajredin Krasniqi, për shkak të disa problemeve shëndetësore, mjeku i ka caktuar ushqim tjetër. Edhe përkundër kësaj, të njëjtit, ende nuk i është siguruar ushqimi i caktuar nga mjeku”, ka shkruar ajo në facebook.

Haxhiu  në postimin e saj i bëri thirrje drejtorit të Burgut të Pejës të mos lejojë shkelje të tilla dhe të respektojë legjislacionin në fuqi.

Madje deputetja citoi edhe nenin 39, paragrafin 2 të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

“Personi i dënuar i cili kryen punë të rënda, personi i sëmurë, gruaja shtatzënë, ose ajo e cila ka lindur fëmijë, kanë të drejtë në ushqim të caktuar nga mjeku”, ka shkruar ajo.

Ajo ftoi Institucionin e Avokatit të Popullit  dhe organizatat që monitorojnë burgjet, sië thotë, të kërkojnë ndaljen e këtyre shkeljeve.

Aktivistët e Vetëvendosjes dhe Organizatës Studentore për Barazi- Studim, Veprim, Kritikë, u arrestuan më 13 prill, natën kur po festonin tetëvjetorin e themelimit.

Policia tha se kishte gjetur gjëra të paligjshme në Parkun e Prishtinës ku po festohej themelimi i SKV-së, ndërsa aktivistë të kësaj organizate studentore mohuan pretendimet e policisë.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-gjashte-te-arrestuarit-e-skv-se/

KALLXO.com shkroi për vazhdimin e paraburgimit ndaj aktivistëve të SKV-së.