Haxhi Gashi: Martesat në mes gjinive të njëjta mund të rregullohen me ligj të veçantë
Përfaqësues të institucioneve e shoqërisë civile kanë diskutuar sot në Prishtinë për mundësitë e fuqizimit të grupeve të margjinalizuara në shoqërinë kosovare.
Haxhi Gashi, Dekan i fakultetit Juridik, në këtë rast tha se martesat në mes gjinive të njëjta mund të rregullohen me ligj të veçantë.
“Martesën mes gjinive të njëjta është thënë se do të ndreqet me ligj të veçantë. Qasja e grupit punues ka pasur argumente që mund të shkohet më një rregullim të një ligji të veçantë. Kodi e përmend që rregullohet me ligj të veçantë. Grupi punës është duke i menduar të gjitha argumentet dhe do të zgjedh cila është qasja më e duhur”, u shpreh ai.
Në këtë rast, ai foli edhe për të drejtat e fëmijëve që mbrohen me Kodin Civil.
‘Kontribut konsiderohet edhe kujdesi ndaj fëmijëve. Kodi përpiqet që të mbrojë të gjithë të drejtat e fëmijë, kur vendosen organet duhet të kenë parasysh interesin e fëmijëve. Kur ka konflikt mes fëmijeve dhe prindërve, duhet caktuar kujdestar të veçant për fëmijët. Është obligative që edhe fëmijet të jepin deklaratë dhe të dëgjohen”, u shpreh Gashi.
Ndërsa, sa i përket regjistrimit të pronës së përbashkët, Gashi tha se Kodi nuk e ka qasjen patriarkale.
“Për çështjen e pasurisë për familje të madhe është thënë se në hyrjen e këtij ligji duhet të shkojnë të noteri dhe të regjistrojnë sepse do të sqarojë pasurinë deri sa të vijë në një konflikt dhe të shkojë në trashëgimi. Gjithashtu, nëse vdes trashëgimtari automatikisht do të i kaloj të gruas dhe fëmijëve”, tha Gashi.
KALLXO.com është duke raportuar live nga konferenca me temë ‘Përtej margjinalizimit – Çfarë tani dhe çfarë më tutje’ nga ATRC.
Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar në muajin shkurt se Projektkodi i ri civil i Republikës së Kosovës, nuk lejon martesën ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Ky kod ende nuk ka hyrë në fuqi dhe është në diskutim publik.
Tutje, në kapitullin e dytë të këtij kodi, është e definuar martesa e cila ligjërisht në Kosovë njihet vetëm ndërmjet dy bashkëshortëve të gjinive të ndryshme.
https://kallxo.com/atrc-organizon-konference-me-teme-pertej-margjinalizimit-cfare-tani-dhe-cfare-me-tutje/