Shyqyri Haxha raporton në Komisionin Hetimor Parlamentar për PTK dhe Vala. FOTO: KALLXO.com
Haxha: Njeri i gjallë nuk kish mujtë me ndalë kontratën me Z-Mobile
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, ka dalë sot para deputetëve anëtarë të Komisionit Hetimor për Postën dhe Telekomin e Kosovës.
Haxha, i cili për tri vjet, 2008-2011, ka drejtuar kompaninë dikur më profitabile publike të Kosovës, është pyetur nga deputetët rreth nismës për nënshkrimin e kontratës me Z-Mobile.
Ai ka thënë se diskutimi për këtë kontratë kishte nisur tri vjet para se ai të vijë në krye të kompanisë.
Ai po ashtu ka deklaruar se ndalesa e nënshkrimit të kësaj kontrate ka qenë e pamundur.
“Kam pasur presion të madh nga Bordi. Nuk ka mujtë njeri i gjallë me ndalu nënshkrimin e kësaj kontrate.I pranishëm gjatë nënshkrimit ka qenë edhe përfaqësuesi i Qeverisë”, tha ai.
Haxha thotë se ishte kërcënuar me vdekje pasi kishte larguar drejtorë nga Telekomi.
“Është hera e parë që debatohet hapur për këtë çështje. Nuk kam ardhë me luftu në luftë me pushkë por këtë e kam llogaritë si kontribut timin. Edhe e kam bërë për Zotin. Tri herë jam kërcënu me vdekje, me vrasje. Kur i kam largu 50 vetë për krim të organizuar i kam largu për krahu, i kam shkarku drejtorët”, tha Haxha.
Momentalisht, Telekomi i Kosovës po përballet me një ultimatum nga Z- Mobile për pagesën e 26 milionë eurove në kërcënim të përmbarimit.
Këto mjete, Z-Mobile po i kërkon në emër të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit që i dha të drejtë kësaj kompanie në gjyq për zbatimin e kontratës me Telekomin.
Kontrata e këtyre dyjave ishte nënshkruar në vitin 2009, ndërsa momentalisht po zhvillohen bisedime për vazhdimin a po jo të kësaj kontrate që skadon këtë vit.
https://kallxo.com/blerim-devolli-i-jep-kohe-telekomit-deri-me-15-qershor/