Havolli: Prokurimi Publik, Vrimë e Zezë e Shtetit

Drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit konsideron si prioritet parandalimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik që sipas tij është fushë shumë problematike

Shaip Havolli mbajti konferencën njoftuese për media ku paraqiti strategjinë e punës dhe prioritetet e kësaj agjencisë nën drejtimin e tij.

Ai si fokus të agjencisë radhiti fushën e deklarimit të pasurisë, konfliktit të interesit dhe prokurimin publik që ai e cilëson si ‘vrimë e zezë’.

“Problem në vete është fusha e prokurimit publik. Siç e dini vazhdimisht flitet për prokurim publik dhe vazhdimisht ka telashe në këtë fushë. Siç e dini një e treta e buxhetit të Kosovës për investime kapitale kalon përmes prokurimit publik dhe kjo është vrima më e zezë e këtij shteti, prokurimi publik”, deklaroi Havolli.

Havolli u zotua për transparencë në raport me mediat dhe shoqërinë civile që, sipas tij, do të pasqyrojnë edhe punën e agjencisë.

“Pa media dhe shoqëri civile besoj që edhe puna e agjencisë nuk do ta ketë efektin e vet sepse ju jeni aty mediat që jeni të rëndësishme rreth transparencës të punës së agjencisë. Prandaj nga ky takim ju sugjeroj dhe ju siguroj se gjatë mandatit tim do të mundohem të jem sa më transparent në raport me ju mediat dhe shoqëritë civile”, tha Havolli.

Deri në zgjedhjen në postin e ri nga Kuvendi i Kosovës, Havolli ka qenë shef i drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.

Në këtë pozitë ai e zëvendësoi Hasan Pretenin i cili e kreu mandatin e tij në fund të gushtit.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova këtë vit kanë publikuar raportin mbi prokurimin publik të titulluar ‘Nder me Tenderë’.

http://kallxo.com/nderi-tendere-qe-e-demton-imazhin-dhe-buxhetin/

Nderi me Tenderët në Kosovë