Hashim Thaçi Kërkon nga Ilir Meta Shtetësi Shqiptare për Kosovarët
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar sot nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, që t’i pajisë shtetasit e Kosovës me shtetësi shqiptare si rrugë që kosovarët të dalin nga ajo që ai e quajti “izolim klasik”.
“Pasi BE e ka sjellë Kosovën në rrethanë të izolimit klasik, e vetmja shpresë në këtë moment për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm që në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë t’u jepet shtetësia shqiptare qytetarëve të Kosovës’, tha Thaçi pas takimit me Metën.
Sipas Thaçit, kjo kërkesë është në përputhje edhe me Kushtetutën e Shqiperisë, edhe me atë të Kosovës.
Në takimin që u mbajt gjatë vizitës së Metës në Prishtinë, Thaçi e ka dekoruar presidentin shqiptar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”.
Ilir Meta tha se është i nderuar me këtë dekoratë.
“Është një surprizë e veçantë kjo dekoratë nga Presidenti i Kosovës dhe do ta marr si një vlerësim për të që gjithë qytetarët e Shqipërisë kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha Meta.
“Duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë dua … angazhimin e mëtejshëm të forcimit të pavarësisë së Kosovës, njohjen e mëtejme të saj dhe aspiratën për të ardhmen europiane të Kosovës”, shtoi ai.