Ministri Bajram Hasani në konferencën në Francë - Foto: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

Hasani: Rekomandimet e organizatave të huaja, kontribut i rëndësishëm për Kosovën

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani teksa po qëndron në Francë ka marrë pjesë në konferencën “Konkurrueshmëria dhe zhvillimi i sektorit privat” dhe ka falënderuar Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

I shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ministri Hasani ka thënë se rekomandimet që merr Kosova përmes pjesëmarrjes në trajnime dhe punëtorive të ndryshme të organizuara nga këto institucione dhe nga organizatat e huaja siç është OECD-ja janë një kontribut i rëndësishëm për Kosovën .

“Këto kanë qenë shumë fitimprurëse për ne dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në zhvillimin dhe zbatimin e rekomandimeve të politikave, strukturën institucionale, kuadrin ligjor, rregullat dhe reformat rregullative që kemi ndërmarrë gjatë epokës sonë të pas luftës”, citohet të ketë thënë ai sipas një njoftimi të Ministrisë.

Ministri Hasani ka përmendur lehtësirat që kanë ardhur nga CEFTA , të cilat e kanë mbështetur liberalizimin e tregtisë për mallra dhe shërbime në rajon.

“Për sa i përket tregtisë, vlen të përmendet mbështetja e OECD u dhe vendeve të CEFTA-së për të na ndihmuar në liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë në rajonin tonë”, ka theksuar ministri sipas të njëjtit njoftim.

Sipas tij, CEFTA ka trajtuar çështje shumë të rëndësishme në fushën e tregtisë, siç janë eliminimi i barrierave jo-tarifore, integrimi i tregtisë, hyrjet e IHD-ve, të drejtat e pronësisë intelektuale, të cilat kanë qenë shumë të dobishme për sa i përket eliminimit të barrierave jo-tarifore dhe mbështetjes së liberalizimit të tregtisë për mallra dhe shërbime në rajon.

“Një analizë e tillë na ndihmoi të kuptojmë se ku është bërë progres dhe ku duhet bërë më shumë punë”, tha ministri Hasani.

Ministri Hasani ka shprehur gatishmërinë dhe zotimin e tij për të vazhduar këtë bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Europian dhe Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

“Jemi shumë të vendosur të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Komisionin Europian dhe organizatat siç është OECD në lidhje me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me tregtinë”, përfundoi Hasani.