FOTO KUVENDI I KOSOVES

Hasani e Sherifi në polemika për Ligjin për Lojërat e Fatit

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ku po bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndalimin e Lojërave të Fatit, tha se është kundër këtij Ligji.

“Për mua është e padrejtë të krijohet monopoli. Nëse doni me kthy sistemin socialist mund të mendoni edhe ta ktheni, por vendosja e monopolit për rrethana politike për demokracitë e sotshme është shumë absurde. Kërkohet që të gjitha lotaritë të ndalen, kjo tregon monopolin e shtetit mbi shoqëritë aksionare”, tha Hasani.

Ai potencoi edhe emrin e shefit të grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, që shkaktoi edhe polemika.

“I nderuar kryetar, unë nuk i kam syzat e Bilallit por kërkoj që ta shikoni mirë edhe njëherë. Këtë kërkoj ta shikoni edhe njëherë mirë këtë pasi nëse doni kah Europa edhe ekonomia tregut në ekonominë liberale, apo doni të ktheheni nga ekonomia shtetërore”, tha Hasani.

Për këtë kërkoi kundërreplikë Bilall Sherifi, ku tha se Hasani e ka ngatërruar “lotarinë me lojërat e fatit”.

“E dëgjova me vëmendje fjalën e Naitit. Ai e ka ngatërru lotarinë edhe lojërat e fatit, këto klasiket që janë. Nuk besoj që në kuadër të këtyre lojërave ka lotari, nuk është duke u bërë një ligj që do të forcohet monopoli. Me më pyet mu edhe lotarinë e kisha mëshel se nuk ka ndonjë traditë për lotari. Nuk është se e kemi problemin te lotaria por të varësia që e kanë shkaktu, lojërat e fatit të tjera, kazino vërtetë shqetësuese”, tha Sherifi.

Kurse, Hasani kërkoi përsëri fjalën duke e falënderuar Sherifin për sqarime.

“Unë e falënderoj Billin për qartësinë që mundem me shku edhe në Shkup”, tha ai.