Luftëtarë të grupit ISIS - Foto: Ilustrim

‘Harron’ Gjykata, Shtyhet Gjykimi për Terrorizëm

Seanca gjyqësore ndaj Vilson Halilit, i akuzuar për terrorizëm, u shty ngase i pandehuri nuk ishte prezent në Gjykatë.

Kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, e arsyetoi mungesën e të akuzuarit me faktin se Policisë nuk i kishte shkuar urdhëresa për ta sjellë atë në gjykatore.

Gjykatësi tha se me gjasë ka harruar ta shkruajë urdhëresën, e cila do t’i dërgohej Policisë për ta sjellë të akuzuarin në seancë.

Avokati Abdylaziz Sadiku tha që kjo shtyrje nuk i përshtatet të mbrojturit të tij. “Por gabimet teknike mund të ndodhin”, tha ai.

Në seancën fillestare Vilson Halili nuk kishte pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohet.

“Ndjehem i pafajshëm dhe nuk e pranoj këtë vepër penale që më është vënë në barrë dhe konsideroj që s’e kam kryer këtë vepër”, kishte thënë Halili në seancën e mbajtur më 31 mars të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Vilson Halili, më 22 qershor 2014 udhëtoi nga Aeroporti i Prishtinës drejt Turqisë, ndërsa një ditë më vonë kaloi ilegalisht kufirin mes Turqisë e Sirisë për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Në mbrojten e tij të dhënë në prokurori i akuzuari Vilson Halili ka thënë se në fillim të pranverës së vitit 2014 ka njohur disa persona të cilët frekuentonin një xhami ku predikonte vazhdimisht imami Zeqirja Qazimi.

Halili më tutje ka treguar para prokurorisë se ka takuar një person me emrin Irfan, i cili e kishte shtyrë dhe bindur që të shkonte t’u ndihmonte familjeve siriane. Sipas Halilit ky person e ka dërguar në Aerportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe e ka siguruar se në Adana të Turqisë dikush do ta priste atë.

Prokuroria Speciale pretendon se pas një muaji të qëndrimit në Siri, Vilson Halili është dërguar të trajnohet në një kamp ushtarak dhe pas 4-5 muajsh është takuar edhe me Florentin Bajramin nga Gjilani, ku pasi kanë kërkuar të ktheheshin në Kosovë ata janë futur në burg për afërsisht një muaj e gjysmë.

Halili e Bajrami ishin liruar nga burgu i ISIS-it vetëm pasi kishin thënë se janë penduar, ndërsa ishin dërguar më pas në qytetin Tabka, ku kishin takuar një njeri që dinte gjuhën angleze dhe ai i kishte përcjellë deri në qytetin Hatai të Turqisë.

Pastaj Halili e Bajrami ishin nisur për Kosovë.

http://kallxo.com/aktakuze-e-re-per-luften-ne-siri/

http://kallxo.com/akuzuari-per-terrorizem-nuk-pranon-fajesine/

KALLXO.com më herët ka shkruar për rastin e Florentin Bajramit, i cili është dënuar nga kjo Gjykatë me 3 vjet burg. Bajrami pritet të dëshmojë në këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/i-akuzuari-gabova-qe-shkova-ne-siri/

KALLXO.com vazhdimisht ka përcjellë gjykimet në rastet e terrorizmit në Gjykatën Themelore në Gjilan. Raportet nga seancat gjyqësore mund t’i gjeni këtu.