Takimi i Ramush Haradinajt në Gjermani, Foto: ZKM

Haradinaj: Zëri i Diasporës ka qenë zëri i Kosovës në momente vendimmarrëse

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka takuar shqiptarë që jetojnë në Gjermani.

Haradinaj gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Gjermani ku ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë e qytetarë.

Haradinaj ka falënderuar bashkëatdhetarët për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për Kosovën në të gjitha periudhat.

“Ndjehem mirë kur jam në mesin tuaj, pasi që jeni kontribuues të mëdhenj për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë jush në çdo moment dhe për këtë kemi themeluar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dhe tani keni një adresë tuajën”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se zëri i diasporës ka qenë zëri i Kosovës në momentet vendimtare, duke ju bërë thirrje që të shohin mundësinë e investimeve në Kosovë dhe shprehu zotimin e tij dhe të Qeverisë që udhëheq se kërkesat e  diasporës do ta kenë vëmendjen e duhur.

“Ju i keni dhënë mbështetjen e pakursyer vendit në momentet më të rëndësishme dhe të vështira historike dhe edhe tani në përmbyllje të shumë proceseve që po kalon Kosova, roli juaj është i nevojshëm, në mbrojtjen dhe përkrahjen sovranitetit të vendit”, tha Kryeministri Haradinaj.