Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Haradinaj: Zbatimi i MSA-së Sjell Liberalizimin e Vizave

Në një takim me Këshillin për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se zbatimi i MSA-së është ecje përpara në rrugën europiane të Kosovës

“Unë kam marrë përsipër atë që Kosova duhet me i kry punët e shpisë, punët e veta. Unë këtë e ndiej si detyrë dhe përkushtim. Zbatimi i MSA-së është vetvetiu materia që sjell liberalizimin”, tha Haradinaj.

Ai më tutje foli edhe për demarkacionin me Malin e Zi, duke e cilësuar marrëveshjen e vitit 2015 vetëm projekt-marrëveshje.

“Ne e dimë që këtu lidhet edhe marrëveshja e demarkacionit, sepse marrëveshja që nuk është ratifiku nga të dy parlamentet është projekt- marrëveshje. Ne nuk do të bëjmë ndonjë zbulim”, tha Haradinaj.

Kryeministrit të Kosovës kur e vizitoi Tiranën më 27 shtator nga kolegu i tij shqiptar Edi Rama iu kërkua ndryshimi i pozicionit opozitar për demarkacionin, fjalë të cilat Haradinaj i përcolli vetëm me një buzëqeshje.

http://kallxo.com/rama-beson-se-haradinaj-te-ndahet-nga-pozicioni-per-demarkacionin/

Në takimin e Këshillit për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, Haradinaj pati porosi për këtë shoqëri.

“Unë pres që vërtet të jeni vetvetja, të jeni në bazë të asaj që përfaqësoni, atë që nuk është ekzekutivi, por ta ruani pavarësinë tuaj sepse ne nuk e vlerësojmë përkëdheljen”, tha Haradinaj.

Haradinaj më tutje konstatoi se korrupsioni është pjesë e jetës sonë, ndërsa zbatueshmëria e ligjeve sipas tij është e vogël.